Njohja e Palestinës, Izraeli: Shpërblim për terroristët. Hamasi: Një hap afër pavarësisë

Botë | 1 vit më parë

Njohja e shtetit të Palestinës nga Kanadaja, Britania e Madhe dhe Australia kanë sjellë reagimet e forta të Izraelit duke e cilësuar “shpërblim për terrorizmin”, por edhe një moment historik për palestinezët, të cilët thonë se “është një hap më afër pavarësisë”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është shprehur se nuk do të ketë shtet palestinez. Përmes një video-deklarate , Netanyahu tha se “për vite me radhë ka penguar krijimin e këtij shteti terrorist” përballë presionit.

“Kam një mesazh të qartë për ata udhëheqës që njohin një shtet palestinez pas masakrës së tmerrshme të 7 tetorit, ju po i jepni një shpërblim të madh terrorizmit. Dhe kam një mesazh tjetër për ju, kjo nuk do të ndodhë. Një shtet palestinez nuk do të krijohet në perëndim të lumit Jordan. Në të vërtetë, ne dyfishuam vendbanimet hebraike në Jude dhe Samari – dhe do të vazhdojmë në këtë rrugë”, thotë Netanyahu.

Ministria e Jashtme e Izraelit ka thënë se njohja e shtetit palestinez nuk është gjë tjetër veçse një shpërblim për Hamasin.

“Vetë udhëheqësit e Hamasit e pranojnë hapur: kjo njohje është një rezultat i drejtpërdrejtë, ‘fryti’ i masakrës së 7 tetorit”, shkruan ministria e saj e jashtme në një postim në X.

Nga ana tjetër Hamasi ka mirëpritur lajmin se Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia kanë njohur zyrtarisht shtetin palestinez.

“Kjo njohje është një hap i rëndësishëm në afirmimin e të drejtës së popullit tonë palestinez për tokën dhe vendet e tyre të shenjta, si dhe për të krijuar shtetin e tyre të pavarur me Jerusalemin si kryeqytet. Ky veprim duhet të shoqërohet me masa praktike që do të çonin në një fund të menjëhershëm të luftës në Gaza dhe do të përballeshin me planet e vendbanimeve në Bregun Perëndimor. Ndërkombëtarët dhe OKB të ndërpresin të gjitha format e bashkëpunimit dhe koordinimit me Izraelin”, thotë Hamasi.

Edhe ministri i Jashtëm i Autoritetit Palestinez, Varsen Aghabekian Shahin, thotë se vendet që njohin shtetin palestinez këtë javë po ndërmarrin një hap të pakthyeshëm që ruan zgjidhjen me dy shtete dhe e afron pavarësinë dhe sovranitetin palestinez.

“Tani është koha. Nesër është një datë historike mbi të cilën duhet të ndërtojmë. Nuk është fundi. Është një lëvizje që na sjell më afër sovranitetit dhe pavarësisë. Mund të mos e përfundojë luftën nesër, por është një lëvizje përpara, mbi të cilën duhet të ndërtojmë dhe ta përforcojmë”, tha Shahin.

Britania, Kanadaja dhe Australia njohën zyrtarisht këtë të diel, 21 shtator, shtetin e Palestinës, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt mbështetjes së një zgjidhjeje me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme