Numërohen fletëvotimet nga jashtë Kosovës, KQZ vijon procesin e votave me kusht
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi, njoftoi se ka përfunduar procesi i numërimit të votave nga jashtë vendit.
“Ato fletëvotime i takojnë procesit të votimit përmes postës të zhvilluar nga 17 shtatori deri më 11 tetor, që janë tërhequr nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë,” njoftoi Elezi.
Ai bëri me dije se në Qendrën e Numërimit të Votave me vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa po rinumërohen 5 vendvotime që i përkasin komunave të Mitrovicës së Jugut, Kamenicës dhe Podujevës.
Zëdhënësi Elezi njoftoi edhe nisjen e numërimit të fletëvotimeve me kusht të hedhura në 54 vendvotime të veçanta në 38 komunat dhe i atyre të personave me nevoja të veçanta të zhvilluar përmes ekipeve të lëvizshme. Sipas KQZ-së vijon edhe skanimi i listës së votuesve.
“Ky hap është thelbësor për garantimin e integritetit të procesit zgjedhor, pasi skanimi mundëson krahasimin e pjesëmarrësve në votim në vendvotimet e rregullta me ata që kanë votuar me kusht. Qëllimi është të identifikohen rastet nëse një person ka votuar dy herë,” thuhet në njoftimin e KQZ-së.
Në zgjedhjet e 12 tetorit u votua për kryetarët e 38 komunave. Pas publikimit të rezultateve paraprake nga KQZ-ja, 17 komuna do të shkojnë në balotazh më 9 nëntor.
Gazetare: Vjollca Zharri
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




