OBSH: Rreziku i krizës së urisë ende i pranishëm në Gazë

Botë | 3 vite më parë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha të premten se Rripi i Gazës i shkatërruar nga lufta vazhdon të kërcënohet nga kriza e urisë.

Gjatë javëve të fundit, ka mbërritur një sasi më e madhe ushqimesh në Rripin e Gazës, por përfaqësuesi i OBSH-së në Territoret Palestineze, Rik Peeperkorn, tha se rreziku i urisë nuk është shmangur ende.

Rripi bregdetar ka qenë nën sulm nga ushtria izraelite për më shumë se gjashtë muaj që kur grupi militant palestinez Hamas nisi sulmet e përgjakshme ndaj Izraelit më 7 tetor.

OBSH raportoi se më shumë se 40 fëmijë të kequshqyer rëndë nën moshën 5 vjeç janë dërguar në spitalet në Rripin e Gazës me probleme shëndetësore që nga marsi.

Disa 2-vjeçarë peshonin rreth 4 kilogramë, nën peshën mesatare prej 10 deri në 14 kilogramë që duhet të ishin.

Para shpërthimit të luftimeve në tetor, kequshqyerja praktikisht nuk ekzistonte në territor.

Sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, gjithsej 25 fëmijë të kequshqyer kanë vdekur në territor gjatë javëve të fundit.

Informacioni i dhënë nga autoritetet palestineze nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur, por zyrtarët e OKB-së i kanë konsideruar vlerësimet e tyre si të besueshme. 

/ rtsh.al /


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme