Oketa dëshmon në GJKKO për “Partizanin”: Jo presion gjeneral Qirjazit, firmosa kthimin e pronës te pronarët

Aktualitet | 4 muaj më parë

Këtë të hënë ishte radha e ish-ministrit të Mbrojtjes Gazmend Oketa, për të dëshmuar në procesin gjyqësor që po zhvillohet për dosjen “Partizani”, ku nën akuzë është edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.

Në një dëshmi që zgjati gati dy orë, Oketa u pyet për procedurat e kalimit të klubit Partizani në emër të pronarëve, si dhe pretendimeve për kërcënim ndaj gjeneral Valdimir Qirjazit për ta përfunduar procesin.

Oketa mohoi kërcënimet, ndërsa edhe pas daljes nga gjykata tha se, ka firmosur kthimin e pronës te pronarët e saj, por nuk ishte e regjistruar në kadastër.

“Unë si ministër mbrojtje mbas praktikës që më ka ardhur në tavolinën time kam lëshuar një urdhër për kthimin e pronës tek pronarët e ligjshëm. Është hapur praktika për të nxjerrë certifikatat e pronësisë dhe është parë që kjo pronë nuk ishte e regjistruar dhe nuk është e vetmja që nuk ishte regjistruar. Unë nuk shquhem për acarim bisede apo për tone agresive”, tha ai.

Gazmend Oketa u kërkua si dëshmitar nga Prokuroria e Posaçme, pasi ishte një prej anëtarëve të kabinetit, që sipas dosjes së SPAK, u përdor nga Berisha për të ushtruar presion që ish-kompleksi “Partizani” të privatizohej, kjo e faktuar nga SPAK përmes një shkrese që vetë Qirjazi i kishte nisur shefit të Shtabit.

Seanca e radhës u caktua për më 20 korrik në orën 11:00, aty ku SPAK Kërkoi që të thirren si dëshmitarë: Urim Muja, Bamir Topi dhe Fatmir Mediu, sëbashku me Isa Taren dhe Paro Laçin qe nuk u paraqiten në seancën e së hënës.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme