Operacion antidrogë në Korçë, arrestohen tre të rinj, sekuestrohen 5.7 kg kanabis

Aktualitet | 1 orë më parë

Policia e Korçës ka finalizuar operacionin e koduar “Ngarkesa”, në kuadër të hetimeve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Si rezultat i hetimeve proaktive të zhvilluara gjatë një jave, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit të DVP Korçë, kanë arrestuar në flagrancë tre persona.

Në pranga kanë rënë S. T., 27 vjeç, dhe J. P., 26 vjeç, banues në Tiranë, si dhe B. H., 25 vjeç, banues në Shëngjin.

Sipas Policisë, tre shtetasit u kapën në aksin rrugor “Prrenjas-Pogradec”, teksa lëviznin me një automjet me karroceri, të drejtuar nga J. P. Në karroceri ishte ngarkuar një automjet tip “Volkswagen”.

Gjatë kontrollit të këtij automjeti, në bagazhin e tij, në vendin e gomës rezervë, u gjetën 5.7 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Ndërkohë, gjatë kontrollit fizik, S. T. iu gjet gjithashtu një sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar lënda e dyshuar narkotike, dy automjete, katër celularë dhe një shumë parash.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme