Operacion nga ajri dhe toka në Krujë, policia arreston zjarrvënësin, evakuohen banorët pranë vatrës së zjarrit, Rama: Situata nën kontroll, mirënjohje forcave në terren
Një operacion masiv nga toka dhe ajri po zhvillohet pasditen e sotme në zonën e Abazës në Krujë, për të vënë nën kontroll një vatër zjarri të përmasave të konsiderueshme. Për shkak të rrezikut për përhapjen e flakëve drejt zonave të banuara, autoritetet kanë kryer një evakuim të pjesshëm të banorëve, ndërkohë që Policia e Shtetit ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme.
Në terren, për të ndjekur nga afër menaxhimin e situatës, kanë qenë të pranishëm Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, dhe Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi.
Arrestimi i zjarrvënësit dhe evakuimi i banorëve
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, konfirmoi se zjarri nuk ka ardhur si pasojë e shkaqeve natyrore, por është shkaktuar nga veprimet njerëzore. Ai bëri me dije se strukturat e Policisë së Shtetit kanë vepruar me shpejtësi duke vënë në pranga autorin e dyshuar.
“Vijojmë të ndjekim nga afër betejën e vështirë me zjarrin në Krujë, që fatkeqësisht edhe kësaj radhe është shkaktuar nga dora e njeriut. Policia e Shtetit e ka arrestuar tashmë zjarrvënësin dhe ai do të përballet me pasojat e rënda ligjore për këtë vepër penale”, deklaroi Lamallari.
Për të shmangur çdo rrezik për jetën, në bashkëpunim me pushtetin vendor, është kërkuar dhe realizuar evakuimi i pjesshëm i banorëve që ndodheshin në perimetrin e afërt të vatrës së zjarrit.
“Çdo forcë është në terren dhe çdo mjet është në dispozicion deri në neutralizimin e plotë të rrezikut”, shtoi Ministri i Brendshëm.
Operacion nga ajri, situata drejt normalizimit
Ndërhyrja për izolimin e flakëve është zhvilluar në kushte të vështira për shkak të terrenit. Për këtë arsye, u kërkua mbështetja nga ajri me anë të tre helikopterëve të Forcës Ajrore, të cilët operuan paralelisht me forcat zjarrfikëse tokësore.
Lidhur me situatën reagoi edhe Kryeministri Edi Rama, i cili përmes rrjeteve sociale theksoi se falë ndërhyrjes së koordinuar, rreziku kryesor është kaluar.
“Falë ndërhyrjes intensive, situata është tashmë nën kontroll, ndërsa puna vijon për izolimin e plotë të vatrës dhe eliminimin e çdo rreziku për banesat e zonës. Shumë mirënjohje dhe respekt për pilotët e Forcës Ajrore dhe efektivët e MZSH Krujë, Kamzë, Tiranë dhe Vorë, të cilët po punojnë pa ndërprerje për izolimin e vatrës dhe mbrojtjen e banesave të rrezikuara”, shkroi Rama.
Strukturat e emergjencave civile dhe ato policore vijojnë të jenë të dislokuara në terren për të monitoruar vatrat e fshehta dhe për të garantuar sigurinë e plotë të banorëve të rikthyer në banesat e tyre.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.















