Operacioni “Apartamenti” në Tiranë – Arrestohet 22-vjeçari që shfrytëzonte shtetase kolumbiane për prostitucion
Policia e Tiranës ka zhvilluar operacionin policor të koduar “Apartamenti”, duke zbuluar dhe goditur një rast të shfrytëzimit të prostitucionit në kryeqytet.
Gjatë hetimeve të kryera nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u arrestua në flagrancë një 22-vjeçar që shfrytëzonte katër shtetase kolumbiane për prostitucion.
Në pranga përfundoi K. P., 22 vjeç, banues në Tiranë, i akuzuar për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”. Gjithashtu, u arrestuan edhe dy shtetase kolumbiane, J. O., 20 vjeçe, dhe L. C., 27 vjeçe, për veprat penale “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” dhe “Prostitucioni”.
Ndërkohë, për shtetaset kolumbiane K. R., 23 vjeçe, dhe A. A., 21 vjeçe, ka nisur procedimi penal për veprën penale “Prostitucioni”.
Hetimet kanë treguar se shtetasi K. P. kishte organizuar dhe shfrytëzonte për prostitucion katër shtetaset kolumbiane. Dy prej tyre kishin marrë me qira një apartament në Rrugën e Barrikadave, të cilin e kishin përshtatur për ushtrimin e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




