Orkestra Simfonike e RTSH, një mbrëmje  kushtuar klasikëve nën drejtimin e maestro Facundo Agudin

Kulturë | 6 muaj më parë

Një udhëtim muzikor mes klasikes dhe modernes u soll në skenë nga Orkestra Simfonike e RTSH në mbrëmjen e 6 majit, në hollin “Gjon Simoni”. Solistja Jonela Golemi dhuroi emocion me  veprën “Concertino për flaut dhe orkestër”.

Nën tingujt e një programi të përzgjedhur me kujdes, Orkestra Simfonike e RTSH solli një mbrëmje të veçantë muzikore në hollin “Gjon Simoni”. Nën drejtimin e maestro Facundo Agudin, koncerti ndërthuri me finesë elegancën klasike me nuancat bashkëkohore, duke i dhuruar publikut një përjetim artistik të pasur.

“Për mua orkestra e RTSH-së është shumë e rëndësishme. Besoj ishte një event shumë i rëndësishëm që solli tek publiku freskinë e Bethoven. Jam shumë krenar për bashkëpunimin me orkestrën e RTSH. Po gjejmë ngjyra të reja së bashku me instrumentistët”, u shpreh Agudin.

Në qendër të kësaj mbrëmjeje qëndroi solistja Jonela Golemi, e cila u rikthye në skenë pas një sërë suksesesh, duke interpretuar “Concertino për flaut dhe orkestër” nga Cécile Chaminade, një vepër virtuoziteti dhe ndjeshmërie që nxori në pah potencialin dhe finesën e instrumentit të flautit.

“Në fakt ndihem shumë shumë e emocionuar. Çdo koncert që unë performoj me orkestrën e Radio Televizionit Shqiptar është një kënaqësi e veçantë. Për mua është ëndërr gjithmonë që të performoj me orkestrën tonë, nderi kombit. Jam shumë e kënaqur me performancën e orkestrës. Dirigjentin e falënderoj”, tha Golemi.

Programi vijoi me “Mores Redux” nga Pablo Ortiz, duke sjellë një frymë moderne dhe eksperimentale, për të kulmuar me energjinë e pashtershme të Simfonisë Nr. 7 në La maxhor nga Ludwig van Beethoven, një nga veprat më të njohura të repertorit klasik botëror.

Kjo mbrëmje muzikore solli një kombinim emocionesh, nga delikatesa franceze te ritmet bashkëkohore dhe madhështia e Beethoven-it, duke e kthyer koncertin në një përjetim të paharrueshëm për publikun.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme