Vjosa Osmani: Asnjë aktgjykim nuk mund ta zhbëjë të vërtetën e luftës në Kosovë

Kosovë | 32 minuta më parë

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Përmes një reagimi, Osmani ka mbrojtur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se, sipas saj, asnjë vendim gjyqësor nuk mund ta ndryshojë të vërtetën historike për luftën në Kosovë.

“UÇK-ja mbetet pjesa më krenare e historisë moderne të popullit tonë: dje, sot e përjetësisht!”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka përmendur edhe viktimat e luftës në Kosovë, duke theksuar numrin e të vrarëve dhe personave që ende figurojnë të zhdukur.

“Mbi 13 mijë njerëz janë vrarë nga Serbia gjenocidale gjatë luftës në Kosovë. Prej tyre, rreth 10 mijë ishin civilë të masakruar, ndërsa më shumë se 1500 ende mbesin të zhdukur me dhunë dhe në varreza masive”, ka deklaruar Osmani.

Sipas saj, familje të shumta në Kosovë vazhdojnë të presin drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës.

“Dhunimet seksuale, torturat çnjerëzore, vrasjet e fëmijëve dhe krimet e tjera të llahtarshme të Serbisë ende mbesin pa përgjigje nga drejtësia ndërkombëtare; ndërkaq, Serbia vazhdon t’i mohojë krimet dhe t’i shpërblejë kriminelët”, ka shkruar ajo.

Osmani ka thënë se Ushtria Çlirimtare e Kosovës u krijua si përgjigje ndaj dhunës dhe krimeve të kryera ndaj popullsisë civile në Kosovë.

“Populli i Kosovës u ngrit pikërisht kundër këtyre krimeve dhe në mbrojtje të pragut të shtëpisë. UÇK-ja ishte ushtria e popullit të Kosovës; ishte betimi i përgjakur i njerëzve të shtypur që donin çlirimin e atdheut të tyre”, ka theksuar ajo.

Në fund të reagimit, ish-presidentja ka deklaruar se lufta çlirimtare dhe shteti i Kosovës, sipas saj, përfaqësojnë një përgjegjësi të përbashkët.

“Prandaj, sot e përgjithmonë, do ta mbrojmë drejtësinë e luftës sonë çlirimtare. Shteti i pavarur e sovran i Kosovës është amaneti ynë i përbashkët”, ka përfunduar Osmani.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme