Osmani në SHBA: Kosova, model rajonal në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka riafirmuar përkushtimin e palëkundur të Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm gjatë një takimi të Fondit Global për Angazhim dhe Qëndrueshmëri të Komunitetit (GCERF) në Nju Jork.
Në fjalën e saj, Osmani e cilësoi Kosovën si një model rajonal për përballjen me këto sfida globale, duke theksuar përpjekjet e vendit në ndërtimin e sistemeve të paralajmërimit të hershëm dhe luftën kundër radikalizimit online.
E ftuar nga ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul, presidentja Osmani mori pjesë në takimin e radhës të GCERF, një platformë ku Kosova është partner që nga viti 2017.
“Me ftesë të ministrit Wadephul, këtë javë në Nju Jork mora pjesë në takimin e GCERF, ku Kosova është vend partner nga viti 2017,” deklaroi Osmani, duke vënë në dukje rolin aktiv të Kosovës në këtë nismë ndërkombëtare.
Në fjalën e saj, ajo theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
“Riafirmova përkushtimin e palëkundur të Kosovës për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm,” u shpreh Osmani, duke shtuar se vendi ka ndërmarrë hapa konkretë për të forcuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e komuniteteve.
Presidentja nënvizoi sukseset e Kosovës në këtë fushë, duke e cilësuar atë si një shembull për rajonin.
“Nga ndërtimi i sistemeve të paralajmërimit të hershëm, deri te përballja me radikalizimin online, Kosova është shndërruar në një model për rajonin – duke treguar se përmes bashkëpunimit, qëndrueshmërisë dhe vlerave të përbashkëta, edhe sfidat më të mëdha globale mund të tejkalohen,” deklaroi ajo.
Pjesëmarrja e Presidentes Osmani në këtë takim vjen në një kohë kur bashkëpunimi ndërkombëtar për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit është më i rëndësishëm se kurrë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




