Osmani: Nëse Kuvendi nuk konstituohet deri në fundjavë, i drejtohem Gjykatës Kushtetuese

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar të enjten se nëse Kuvendi i Kosovës nuk konstituohet deri në afatin e 26 korrikut, ajo do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar një zgjidhje ligjore. Osmani theksoi se mosrespektimi i këtij afati duhet të ketë pasoja juridike.
“Unë jam e bindur që nëse ky afat s’respektohet duhet të ketë pasoja juridike,” deklaroi ajo në një konferencë për media. “A nënkupton kjo që secili Kuvend i konstituar pas 26 korrikut është kundërkushtetues? A nënkupton kjo se një Kuvend jokushtetues s’mund të zgjedhë as qeveri? Sepse nëse vazhdohet edhe pas 26 korrikut, atëherë për çfarë arsye është vendosur ai afat.”
Roli i presidentes dhe paralajmërimi i saj
Osmani e bëri të qartë se nuk është roli i saj të negociojë koalicionet, pasi kjo është e ndaluar me Kushtetutë. Ajo shtoi se nuk ka të drejtë të shpërndajë Kuvendin në këtë fazë dhe të çojë vendin në zgjedhje të reja, pasi kjo mund të ndodhë vetëm pas konstituimit të tij.
Për këtë arsye, ajo lëshoi një paralajmërim të qartë për partitë politike: “Nëse gjatë vikendit (fundjavës) s’ka marrëveshje për institucionet e konstituara, në fillim të javës do t’i drejtohemi Gjykatës.”
Presidentja u bëri thirrje forcave politike që të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund dëmit që po i shkaktohet vendit, duke theksuar rrezikun që i kanoset Kosovës nga kjo situatë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




