Pagat e magjistratëve, Bardhi: Pr.ligji i mazhorancës është puç kushtetues. Po sfidoni ligjin, ne votojmë kundër

Politikë | 49 minuta më parë

Në Kuvend janë zhvilluar debate për projektligjin e pagave të magjistratëve, ku kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën se po sfidon rendin kushtetues dhe autoritetin e Gjykatës Kushtetuese, duke mos zbatuar, sipas tij, vendimet e kësaj gjykate për trajtimin financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Bardhi tha se çështja nuk lidhet vetëm me pagat, por me pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe respektimin e Kushtetutës.

“Projektligji që po diskutojmë ka të bëjë me shtetin shqiptar, me sistemin institucional dhe kushtetues. Ju nuk keni vendosur vetëm të sfidoni gjyqësorin, por të sfidoni rendin kushtetues në vend. Keni vendosur të vijoni një puç kushtetues të nisur që prej vitit 2017 lidhur me këtë çështje”, tha Bardhi.

Sipas Bardhit, Gjykata Kushtetuese ka marrë tre vendime gjatë shtatë viteve të fundit lidhur me mbrojtjen e pagave të magjistratëve. Bardhi argumentoi se pavarësia e gjyqësorit lidhet edhe me garancitë financiare dhe kundërshtoi uljen e standardit të trajtimit financiar të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Ky është vendimi i tretë i Kushtetueses për të njëjtën çështje, por ju refuzoni ta zbatoni. Ju nuk refuzoni thjesht të njihni autoritetin e Gjykatës Kushtetuese, por vini në pikëpyetje themelet e Republikës. Nuk është më shtet i së drejtës ku pushteti politik e vendos veten mbi Kushtetutën. Nuk mund të ketë pushtet gjyqësor të pavarur nëse financat e tij varen nga vullneti i pushtetit ekzekutiv. Prokurorët dhe gjyqtarët po kërkojnë të marrin pagën që ky Kuvend ua përcaktoi në vitin 2016 dhe po kërkojnë standardin e përshtatshmërisë me detyrën dhe jo thjesht rritje page”, tha ai.

Bardhi deklaroi se grupi parlamentar i PD-së do të votojë kundër projektligjit të mazhorancës, duke argumentuar se ai nuk respekton Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme