Pankreasi, organ i heshtur por jetik, mjekja: Diagnostikimi i vonë, pasoja të rënda për shëndetin

Sociale | 1 vit më parë

Sëmundjet e pankreasit janë shpesh të heshtura, por ndikimi i tyre në shëndet është i madh. Mjekja gastro-hepatologe, Erjola Gjika shpjegon se çfarë është pankreasi dhe çfarë funksioni ka në organizmin tonë.

“Pankreasi është një organ që ndodhet në qendër të organizmit, pas stomakut. Funksioni kryesor i tij është prodhimi i enzimave tretëse të ushqimit dhe disa hormoneve që stabilizojnë nivelin e sheqerit në gjak”, shprehet Erjola Gjika, mjeke gastro-hepatologe.

Po cilat sëmundje e prekin pankreasin dhe cilët janë shkaktarët?

“Ka dy diagnoza kryesore, pankreasi akut dhe ai kronik. Shkaktarët kryesorë të tyre mund të jenë abuzimi me alkoolin, çrregullimet metabolike të yndyrnave ose faktorë të tjerë si gurët në tëmth, traumat, apo një pjesë e medikamenteve”,  shpjegon ajo.

Cilat janë shenjat treguese dhe si diagnostikohet?

“Ka një dhimbje shumë të fortë, të vjella dhe temperaturë. Diagnostikimi bëhet përmes kontaktit me mjekun specialist, në varësi të analizave të gjakut dhe ekzaminimeve ndihmëse si ekografia, skaneri apo rezonanca magnetike”, rendit mjekja.

Si trajtohet dhe si mund ta ruajmë këtë organ mistik?

“Trajtimi bëhet me medikamente që ndiqen sipas një protokolli të caktuar mjekësor. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme dieta gjatë trajtimit të pankreatiteve, sepse duhen eliminuar faktorët dëmtues si alkooli, yndyrnat shtazore dhe terapitë që kanë efekte anësore, gjithmonë në bashkëpunim me specialistët e fushave përkatëse. Në disa raste përdoren edhe zëvendësues, si enzimat shtesë që ndihmojnë organizmin të kryejë tretjen e ushqimeve.”, tha mjekja.

Simptomat e vonshme e bëjnë të vështirë diagnostikimin e hershëm, prandaj, kontrolli mjekësor është thelbësor për çdo shqetësim.

Gazetare: B. Cina  

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme