Papa Leoni i XIV shpalli sot shenjtorë të rinjtë Carlo Acutis dhe Pier Giorgio Frassati

Botë | 1 vit më parë

Dhjetëra mijëra besimtarë u mblodhën të dielën në Vatikan ku Papa Leoni i XIV shpalli zyrtarisht shenjtor adoleshentin Italian Carlo Acutis, i cili në 2006 ndërroi jetë nga leuçemia në moshën 15-vjeçar, dhe që nga shumë njihej si influenceri i Zotit, pasi gjatë jetës së tij të shkurtër, krijoi faqe internet ku dokumentonte mrekulli si një mënyrë për të përhapur mësimet e katolicizmit. 

Pas vdekjes së tij, e ëma e Antonio Salzano vizitoi kisha në vende të ndryshme të botës, duke kërkuar që i biri të shpallej shenjtor.

Por si pjesë e procesit, duhej të vërtetohej se Carlo kishte kryer dy mrekulli. Pas verifikimit të dëshmive, Vatikani pranoi, se pas vdekjes, Carlo kishte shëruar një fëmijë Brazilian që vuante nga keq formimi i pankreasit, si dhe një studente nga Kosta Rika e lënduar në një aksident.

Të afërmit e të dy të shëruarve dhe ata vetë i ishin lutur për ndihmë adoleshentit të ndjerë pranë varrit prej xhami ku prehet trupi i pajetë i Carlos në qytetin mesjetar të Asizit, aty ku jetoi.

Historia e Carlos, i cili thuhet se ndiqte përditë meshën dhe tregonte mirësi ndaj të pastrehëve dhe fëmijëve që bullizoheshin, ka tërhequr të rinj katolikë nga e gjithë bota. Ceremonia për kanonizimin e tij ishte planifikuar të mbahej në muajin prill por u shty kur Papa Francesku ndërroi jetë. 

Së bashku me Carlos Acutis shenjtor u shpall edhe italiani Pier Giorgio Frassati, një 24 vjeçar që ndërroi jetë nga poliomeliti në 1925 dhe njihej për angazhimin e tij shoqëror dhe shpirtëror. Frassati u lumturua nga Papa Gjon Pali në 1990 pasi u provua mrekullia e parë e që i atribuohet atij, shërimit në 1933 të 40 vjeçarit Domeniko Sellan të paralizuar dhe në koma.

Në 2024-ën Vatikani njohu mrekullinë e dytë, shërimin e pashpjegueshëm të një seminaristi të ri në Los Angeles çka i hapi rrugë shenjtërimit të tij.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme