Parada në Sheshin e Kuq, Putin: Kauza jonë për luftën në Ukrainë është e drejtë
Në Ditën e Fitores ndaj Gjermanisë naziste, presidenti rus Vladimir Putin mbajti një fjalim në Sheshin e Kuq, ku filloi duke kujtuar sakrificat e forcave të Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore. Fjalimi u shfrytëzua për të justifikuar luftën e Rusisë në Ukrainë, të cilën e cilësoi si të drejtë.
Para qindra forcave të ushtrisë dhe disa udhëheqësve botërorë, Putin përshkroi Ukrainën si një forcë agresive, e armatosur dhe e mbështetur nga NATO. Ai tha se veprat e mëdha të brezit fitimtar frymëzojnë ushtarët rusë që po realizojnë sot objektivat e ashtuquajturit “operacion special ushtarak”.
“Veprat e mëdha të brezit fitimtar po frymëzojnë ushtarët që po realizojnë sot objektivat e operacionit special ushtarak. Ata po përballen me një forcë agresive, të armatosur dhe të mbështetur nga i gjithë blloku i NATO-s. Dhe pavarësisht kësaj, heronjtë tanë po ecin përpara. Besojnë fuqishëm që kauza jonë është e drejtë”, tha Putin.
Presidenti rus gjithashtu vlerësoi qytetarët e vendit të tij, duke përfshirë shkencëtarët, shpikësit, korrespondentët ushtarakë, doktorët dhe mësuesit, të cilët kontribuojnë në luftën që vijon në Ukrainë. Ai theksoi se, pavarësisht ndryshimeve në taktikat ushtarake, e ardhmja e Rusisë po sigurohet nga populli.
Parada ushtarake në Sheshin e Kuq u mbajt nën masa të shtuara sigurie dhe për herë të parë nuk përfshiu automjete të tonazhit të rëndë. Ngjarja u zhvillua një ditë pasi Rusia dhe Ukraina ranë dakord për një armëpushim treditor, i cili hyri në fuqi të shtunën dhe u njoftua nga presidenti amerikan Donald Trump.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




