Partia malazeze në qeveri del kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës

Partia Demokratike Popullore (PDP) në Mal të Zi ka bërë të ditur se mbështet vendimin e nënkryetares së saj, Maja Vukiçeviq, e cila është kryetare e delegacionit malazez në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE), për të votuar kundër pranimit të Kosovës në këtë organizatë.
“Përkrahje e plotë i është shprehur nënkryetares së partisë, Maja Vukiçeviq, kryetare e delegacionit malazez në Asamblenë, që të votojë kundër pranimit të të ashtuquajturës Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës,” thuhet në deklaratën e kësaj partie publikuar një ditë më parë.
PDP-ja është njëra nga partitë që rezultoi pas shpërbërjes së Frontit Demokratik (FD) prorus dhe proserb dhe është pjesë e shumicës parlamentare që udhëhiqet nga Lëvizja Evropa Tani, e kryeministrit Millojko Spajiq.
Kjo parti, e udhëhequr nga Milan Knezeviq, ka qenë pro tërheqjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës, daljes së Malit të Zi nga NATO-ja dhe heqjes e sanksioneve kundër Rusisë.
Kur u bë pjesë e qeverisë në fund të vitit të kaluar, PDP-ja u shpreh se nuk do t’i ngrinte këto çështje.
Në marrëveshjen e koalicionit me Lëvizjen Evropa Tani të kryeministrit Spajiq, palët ndër të tjera u pajtuan që Qeveria të mos merrte vendime që do të vinin në pikëpyetje pavarësinë e Kosovës, sanksionet kundër Rusisë për shkak të pushtimit të Ukrainës, dhe detyrimet ndaj NATO-s.
Gazetare: Elda Pepa
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




