Partizani-Dinamo në RTSH/Ilir Daja: Derbi luhet për t’u fituar

Është derbi i parë i sezonit, Partizani pret Dinamon, të shtunën në stadiumin e Vorës duke nisur nga ora 16:00. Në prag të kësaj sfide, trajneri i bluve, Ilir Daja ka folur për faqen zyrtare të klubit, duke vlerësuar forcën e kundërshtarit dhe duke theksuar se në një sfidë të tillë diferencën mund ta bëjnë detajet dhe gabimet.
“Ndeshjet derbi janë ndeshje të veçanta, janë ndeshje që luhen për t’u fituar. Por në të njëjtën kohë janë edhe të paparashikueshme. Vijmë me optimizëm dhe entuziazëm, me një gjendje të mirë psikologjike pas rezultateve të fundit. E dimë që edhe Partizani është në një moment të mirë dhe vjen pas fitores në transfertë ndaj Vllaznisë. Besoj se do të jetë një ndeshje e hapur dhe do të fitojë ekipi që do të bëjë më pak gabime. Sigurisht, shpresojmë të jemi ne.”
Tekniku dinamovit kërkon mbi të gjitha ekuilibër nga skuadra, duke evidentuar një nga pikat e forta të kundërshtarit.
“Duhet të jemi gjatë gjithë kohës në ekuilibër. Partizani ka tranzicion pozitiv dhe kundërsulm të rrezikshëm, me lojtarë të shpejtë. Duhet t’ia heqim këtë armë të fortë kundërshtarit.”
Lajme pozitive vijnë edhe nga grupi. Kapiteni Bruno Dita ka lënë pas dëmtimin, ndërsa Qardaku rikthehet pas shlyerjes së pezullimit.
“Kemi të gjithë kontingjentin në dispozicion për të përballuar derbin. Na është rikthyer kapiteni Dita, që është një vlerë e shtuar për ekipin. Kemi edhe Qardakun, i cili ka shlyer pezullimin dhe ka lënë pas një dëmtim. Gjatë javës kemi punuar mirë dhe skuadra është gati.”
Në fund, Daja komentoi edhe zhvillimin e ndeshjes në orën 16:00 dhe në fushën sintetike të Stadiumit të Vorës.
“Nëse do të zhvillohej në mbrëmje, me ndriçim dhe në një fushë me bar natyral, do t’u shërbente të dyja ekipeve për të dhënë maksimumin. Përtej kësaj, Stadiumi i Vorës është një stadium ku mund të performosh shumë mirë”.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




