Berisha publikon dokumentin për gjyqtaren, seanca për dosjen “Partizani” shtyhet për në 19 maj
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pasi u paraqit në SPAK në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje”, publikoi të hënën një dokument që sipas tij dëshmon se gjyqtarja e hetimit paraprak, Irena Gjoka, ka qenë e dënuar në vitin 2005 në Greqi për falsifikim dokumentesh të udhëtimit.
“Irena me 5 mbiemra… dokument zyrtar me vulë dhe me firmë nga Gjykata e Janinës në Greqi, e dënon të pandehurën të shpallur fajtore me burgim 3 muaj dhe gjobë 1.500 euro, si dhe shpenzimet gjyqësore prej 73 euros,” deklaroi Berisha.
Me këtë dokument, mbrojtja e Berishës kërkoi në seancën paraprake për dosjen “Partizani” revokimin e vendimit për pavlefshmëri të provave të marra nga Gjoka. Por gjyqtarja Flojera Davidhi nuk e ka pranuar, ndaj avokatët kërkuan përjashtimin e saj, duke bërë që seanca të shtyhet për në datën 19 maj, ora 11:30.
Në një deklaratë për mediet, Genc Gjokutaj, avokati i kryedemokratit Berisha, bëri me dije edhe gjobitjen e Berishës me 10 mijë lekë të rinj.
“Pavarësisht se ne kërkuam kohën, të paktën fizikisht, për ta firmosur, ajo e rrëzon pa pasur kërkesën në dorë. Sot ishte seanca ku ne vijmë nga një rrëzim kërkese për përjashtimin e gjyqtares Flojera Davidhi. Kërkesa u bë nga ne avokatët dhe është gjobitur zoti Sali Berisha me 10 mijë lekë të reja, ndërsa ai nuk ka firmosur fare”, tha Gjokutaj.
Berisha ndodhet në masë “detyrim paraqitje” për korrupsion, ndërsa dhëndri i tij Jamarbër Malltezi po hetohet në arrest shtëpie, i pandehur për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Gazetare: Lusi Përgjegji
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




