Pas deklaratave kërcënuese, policia arreston xhaxhain e autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja

Aktualitet | 1 vit më parë

Policia ka arrestuar Gjovalin Shkambin, xhaxhanë e autorit të vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, pas deklaratave kanosëse në media, kundrejt përfaqësuesve të sistemit gjyqësor.

Sipas policisë, 49-vjeçari akuzohet për veprat penale “Kanosja e gjyqtarit” dhe “Kanosja për kryerjen e veprave me qëllime terroriste.”

“Menjëherë pas deklaratave kanosëse të bëra në media nga shtetasi Gj. Sh., 49 vjeç, Sektori i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Njësisë Rajonale të Antiterrorit Shkodër dhe me mbështetjen e shërbimeve të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Shkodër,  kapën dhe shoqëruan  në Komisariat 49 vjeçarin.

Në vijim të veprimeve procedurale, të drejtuara nga Prokuroria e Shkodrës, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Gj. Sh., 49 vjeç, banues në Shkodër”, thuhet në njoftim.

Autoritetet theksuan se shoqërimi dhe më pas arrestimi i tij, u krye për deklaratën kërcënuese ndaj gjyqtarëve të bërë më herët gjatë ditës nga 49-vjeçari në një prononcim për mediet. Ai rrëfeu se ka vite që nuk po jepet drejtësi për pronën e pretenduar nga familja e tij dhe kërcënoi me vetëgjyqësi.

Vendimi i dhënë një ditë më parë nga gjyqtari i ndjerë Kalaja ua njohu të drejtën 31 familjeve që jetojnë në godinën e vjetër shtetërore nga koha e komunizmit, ku ata thonë se jetojnë në konflikt me palën tjetër prej vitit 1992 kur 31 familje, me vendim të bashkisë Shkodër janë vendosur në një repart të rezervave të ndërtimit, një godinë shtetërore nga koha e komunizmit.

Deklarata e Gjovalin Shkambit u transmetua nga RTSH me qëllim denoncimin dhe parandalimin e akteve të tjera që cenojnë jetën dhe sigurinë e trupës së gjyqtarëve, që përbëjnë një rrezik serioz dhe eminent për sigurinë e institucioneve të drejtësisë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme