Pas operacionit në Velipojë, Lamallari kërkon hetim të përbashkët Polici-AMP: Askush nuk do të përjashtohet nga përgjegjësia

Aktualitet | 5 muaj më parë

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, ka reaguar zyrtarisht pas operacionit të Policisë së Shtetit në fshatin Reç i Ri të Velipojës, ku u asgjësuan 7,446 bimë të dyshuara narkotike të llojit Cannabis Sativa. Përmes një deklarate, kreu i dikasterit të Brendshëm ka mbështetur masat e marra për pezullimin e zyrtarëve lokalë të policisë dhe ka kërkuar një hetim të thelluar mbi dështimin e monitorimit të territorit.

Lamallari ka urdhëruar përfshirjen e menjëhershme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) për të verifikuar nëse ka pasur elementë të shpërdorimit të detyrës apo bashkëpunimit pasiv nga ana e uniformave blu.

Koordinimi midis policisë dhe AMP-së

Në reagimin e tij, ministri vuri theksin te nevoja për një hetim administrativ dhe penal pa kompromise, duke sqaruar se lehtësia e verifikimit të zonës fushore ku ishte mbjellë lënda narkotike kërkon llogaridhënie të prerë institucionale.

“Kam kërkuar që në çdo rast të tillë të garantohet koordinim i plotë dhe i menjëhershëm ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, në mënyrë që verifikimi i fakteve, hetimi administrativ dhe llogaridhënia institucionale dhe ligjore të zhvillohen me profesionalizëm, efektivitet dhe zero kompromis.”

Roli i denoncimeve të qytetarëve

Operacioni i cili nisi pas një sinjalizimi të ardhur në postën elektronike të Drejtorit të Përgjithshëm, u vlerësua nga ministri si një tregues i rëndësisë që ka bashkëpunimi i komunitetit me strukturat ligjzbatuese. Lamallari rikonfirmoi se kuadri i masave ndaj kultivimit të narkotikëve mbetet prioritet strategjik i Ministrisë së Brendshme, duke paralajmëruar penalizime për këdo që dështon në kontrollin e zonave nën juridiksion:

“Lufta kundër kultivimit të lëndëve narkotike dhe çdo forme tjetër të paligjshmërisë mbetet një prioritet i pandryshueshëm i qeverisë dhe Ministrisë së Brendshme. Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk do të përjashtohet nga përgjegjësia kur dështon të përmbushë detyrën që i është besuar.”

Deri më tani, si pasojë e këtij rasti, janë pezulluar nga detyra Shefi i Komisariatit Shkodër, Shefi i Stacionit Velipojë dhe Ndihmësspecialisti i zonës, ndërsa procesi i verifikimit vazhdon në nivel disiplinor dhe penal.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme