Pashkët, Berisha uron besimtarët: Do të dyfishojmë fondin për komunitetet fetare

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka uruar besimtarët katolikë dhe ortodoksë për festën e Pashkës.
“Të gjithë besimtarëve ortodoksë të Shqipërisë dhe të Kavajës, Gëzuar! Histori ringjallje e plotë, pas Krishtit mbret, besimet fetare kanë Ringjalljen e dytë në Shqipëri. Kjo është e vërteta dhe meritat tuaja janë shumë të mëdha. Kështu që përkushtimi ndaj Zotit dhe ndaj njeriut bëri që këto institucione të ngrihen nga shkrumbi dhe janë një faktor shumë i fuqishëm sot, pikërisht jo vetëm, padiskutim në ushqimin shpirtëror dhe në mësimet e librave të shenjtë të Zotit, por janë një faktor i fuqishëm edhe në atë që ne e quajmë dhembshuri njerëzore”, uroi kreu i PD-së.
Teksa zhvilloi një vizitë në Kishën Ortodokse të qytetit të Kavajës, Berisha premtoi dyfishim të fondeve për komunitetet fetare.
“Unë e kam deklaruar edhe më përpara, ajo që ne do bëjmë, dy gjëra, do përpiqemi dhe do i bëjmë. Së pari do të dyfishojmë fondin që kemi për komunitetet fetare, fondin buxhetor. Ne e patëm vendosur në atë kohë në buxhet një fond për komunitetet fetare dhe këtë fond e ndanin vetë në komitetin e tyre. Por ky fond ka mbetur aty ku ishte dhe ne do e dyfishojmë atë, se është e domosdoshme të dyfishohet.
Së dyti, brenda këtij mandati që vjen në rast se qytetarët shqiptarë votojnë, ne do të zgjidhim përfundimisht problemin e pronave me përparësi absolute për institucionet fetare, por edhe për të gjithë shqiptarët”, tha Berisha.
Besimtarët e krishterë – katolikë, ortodoksë e ungjillorë kremtojnë sot (20 prill) festën e Pashkës, ringjalljen e Jezu Krishtit.
Këtë vit jubilar ekumenik Pashkët festohen në të njëjtën ditë si në kalendarin Gregorian ashtu edhe në atë Julian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




