Paskal Milo: Festa e Flamurit është ditë uniteti për Shqipërinë europiane
Në emisionin “3D” të moderuar nga Alban Dudushi në RTSH 1HD, tema e mbrëmjes ishte Dita e Pavarësisë, ku u diskutua mbi rrugëtimin historik, sakrificat dhe të ardhmen e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.
I ftuar në studio ishte ish-ministri i Jashtëm dhe historiani Paskal Milo, i cili theksoi se 28 Nëntori është një festë kombëtare që i përket të gjithë shqiptarëve.
Milo u shpreh se në thelb ka vetëm një gjykim, “Kjo festë kombëtare është kënaqësi dhe ndjenjë që e përjetojmë së bashku, pavarësisht ndryshimeve që kemi në pozicione dhe ide, sepse kjo është festë për të gjithë shqiptarët.”
Ai shtoi se festat janë gjithmonë përbashkuese, edhe pse mesazhet që përcillen mund të ndryshojnë nga një vit në tjetrin.
Duke iu referuar pritjes së përvitshme të organizuar në Pallatin e Brigadave, Milo tha se mesazhi kryesor i Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, ishte i qartë dhe i bukur“Ky vit ishte viti europian i Shqipërisë. Dha mesazhet për një sukses, për hapjen e gjithë grupkapitujve dhe anëtarësimin e Shqipërisë në BE.”
Historiani theksoi se është shumë e rëndësishme që shqiptarët të lexojnë mesazhet kryesore të ditës, pasi politika dhe ndarjet politike kanë ekzistuar dhe do të ekzistojnë gjithmonë.
“Por sot jemi në një ditë që na bashkon. Dhe ajo që na bashkon sot është që Shqipëria të integrohet sa më shpejt në Bashkimin Europian, sepse kjo është në të mirën e të gjithë shqiptarëve,” përfundoi Milo.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




