Pastrim parash, Prokuroria Shkodër sekuestron apartamentin e të dënuarit me 25 vite burg në Itali, i kërkuar për drogë, pengmarrje dhe armë

Aktualitet | 1 vit më parë

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër, ka vendosur sekuestro preventive mbi një apartament me sipërfaqe 103.4 m² në Shkodër, në kuadër të hetimit për pastrim parash. Pasuria i përket shtetasit L. M. (i njohur me katër emra të ndryshëm), i cili rezulton me një dosje të rëndë kriminale ndërkombëtare, përfshirë një dënim me 25 vite burg nga Gjykata e Apelit të Salernos në Itali.

Shtetasi L. M., i cili në dokumente rezulton edhe si L. K., dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” në bashkëpunim me shtetasen J. N.

Sipas provave të administruara nga Prokuroria, apartamenti është blerë nga shtetasja J. N. me fonde të dyshuara, të cilat paraprakisht janë transferuar nga L. M. Më tej, hetimi ka zbuluar se J. N. nuk justifikon burime të ligjshme të ardhurash për të mbuluar vlerën e investimit në këtë pasuri.

Sipas Prokurorisë, rëndësia e këtij sekuestrimi qëndron në profilin e lartë kriminal të të hetuarit, L. M. (alias L. K. alias L. M.). Ai ishte në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, pasi në vitin 2005 ishte dënuar me 25 vite burg në Itali për një sërë veprash të rënda penale:

Organizata kriminale

Trafikim droge

Pengmarrje

Heqje e paligjshme e lirisë

Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake

Përveç dënimit italian, i njëjti shtetas rezulton të jetë dënuar edhe nga Gjykata e Distriktit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Distrikti Jugor i New York, për vepra penale në fushën e trafikut të lëndëve narkotike, të kryer në bashkëpunim.

Kërkesa e Prokurorisë për vendosjen e masës së sekuestros preventive u pranua nga Gjykata, me qëllim parandalimin e tjetërsimit të pasurisë dhe ruajtjen e saj për konfiskim të mundshëm në përfundim të procesit penal. Hetimet për rastin dhe lidhjet mes veprimtarisë kriminale ndërkombëtare dhe investimeve në Shqipëri vazhdojnë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme