PD kërkon shkarkimin nga detyra të presidentit Bajram Begaj, Bardhi: Ka kryer 7 shkelje të rënda të Kushtetutës

Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesën për shkarkimin nga detyra të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, e akuzoi kreun e shtetit për një sërë shkeljesh të rënda të Kushtetutës, duke përmendur edhe dekretimin e datës për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore në Tiranë dhe dekretimin e ministres virtuale “Diella”.
“Kërkesa është hartuar me një material voluminoz, ku analizohen së bashku me provat përkatëse të gjitha shkeljet e kryera nga Presidenti,” deklaroi Bardhi në një konferencë për mediat.
Sipas tij, Begaj ka humbur legjitimitetin për të përfaqësuar popullin dhe nuk mund të vijojë më të jetë de jure kreu i shtetit. “De facto, ai e ka humbur këtë rol prej kohësh,” tha Bardhi.
Partia Demokratike ka ngritur edhe një tjetër akuzë ndaj Presidentit Begaj, që lidhet me konfliktin e interesit dhe etikën institucionale. Bardhi pretendoi se Presidenti, ndërkohë që ushtron detyrën e kreut të shtetit, rezulton të jetë i punësuar dhe merr të ardhura edhe nga një klinikë private mjekësore.
“Presidenti jonë, ndërkohë që është president, rezulton të jetë i punësuar dhe merr të ardhura nga një klinikë private mjekësore. Pra ditën bën Presidentin e Republikës, pasdite paguhet nga rrjeti i klinikës private, siç deklaron të ardhura vetë çdo ditë. Ky është niveli i Presidentit të Republikës. Nuk dimë si ta quajmë presidenti paradite, mjeku pasdite, gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë më parë”, deklaroi ai.
Bardhi renditi 7 shkelje kushtetuese, të pretenduara se janë kryer nga Begaj:
- Presidenti i Republikës ka kryer shkelje të rëndë të Kushtetutës. Pasi ka ushtruar një kompetencë kushtetuese që nuk kishte lindur ende. Ka synuar të ngushtojë kompetencat e Gjykatës Kushtetuese dhe rolit të saj në rastet e shkarkimit të të zgjedhuarve vendorë. Ka marrë kompetencat e sistemit gjyqësore duke përcaktuar juridiksionin se ku kundërshtohet një vendim i Këshillit të Ministrave. Ka shfaqur mungesë paanësie, integriteti dhe pavarësie, duke iu nënshtruar autoritetit të kryeministrit. Ka ndërhyrë në autonominë kushtetuese të qeverisjes vendore dhe ka uzurpuar kompetencat e Gjykatës Kushtetuese.
- Shkelja e rëndë e dytë që është kryer nga Presidenti ka të bëjë me ndërhyrjen brutale në çështjen e mandateve të gjyqtarëve kushtetues. Ka ndërhyrë në pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese duke kërkuar ndërprerje antikushtetuese të mandateve të anëtarëve të kësaj gjykate dhe duke krijuar pasiguri juridike në ushtrimin e detyrës nga ana e tyre. Më 30 janar të 2025, Begaj ka kërkuar nga Gjykata deklarimin e mbarimit të mandateve të disa anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.
- Shkelja numër 3, ka dekretuar në mënyrë antikushtetuese ligjin për ndryshimet në ligjin bazë për komisionet hetimore. Duke injoruar të drejtën kushtetuese të deputetëve të opozitës për kontroll parlamentar dhe duke injoruar fuqinë detyruese të disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, dekretoi shpalljen e një ligji antikushtetues që ndryshonte ligjin ekzistues. Për pasojë ka cenuar neutralitetin politik dhe paanësinë gjatë ushtrimit të funksionit të tij si Kreu i Shtetit. Ka marrë veprime aktive për të ngushtuar kompetencat kushtetuese të opozitës në ushtrimin e përgjegjësisë së saj për kontroll parlamentar efektiv, duke u bërë njësh me maxhorancën socialiste.
- Shkelja numër 4, dekretimi antikushtetues i ministrit virtual Diella. I ka shërbyer qëllimeve propagandistike të kryeministrit Edi Rama dhe duke rrënuar në mënyrë përfundimtare seriozitetin e institucioneve kushtetuese publike në vend. Ka cenuar parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve pasi Presidenti ka krijuar një strukturë të re ministrore dhe i ka caktuar kryeministrit përgjegjësi të reja, përtej asaj që lejonte Kushtetuta.
- Shkelja numër 5, ka refuzuar për të ndalur përfshirjen e trupit diplomatik në fushatën elektorale të vitit 2025. Përmes mosveprimit të tij, ka lejuar përfshirjen e trupit diplomatik të Shqipërisë në disa shtete të huaja në aktivitet politik zgjedhorë të partisë në pushtet. Presidenti ka kryer shkelje të rëndë Kushtetuese, ka cenuar barazinë e palëve në zgjedhje duke lejuar shkrirjen e shtetit me partinë në pushtet.
- Shkelja numër 6, ka ndërhyrë në mënyrë antikushtetuese përmes kabinetit të tij në procesin zgjedhor. Ka lejuara gazhimin e kabinetit të tij në procesin e administrimit të zgjedhjeve, në faza të hershme, duke injoruar përgjegjësitë kushtetuese të Presidentit lidhur me rezultatin e zgjedhjeve dhe duke konsumuar një ndërhyrje flagrante antikushtetuese të institucionit të presidentit në zgjedhje.
- Shkelja numër 7, përfitimet personale dhe të të birit në shkelje flagrante të Kushtetutës, aq sa për këtë shkelje dyshohet se ka kryer edh enjë krim të rëndë për të cilin do t’i drejtohemi SPAK në ditët në vijim. Ka krijuar një gjendje permanente konflikti interesi duke i dhënë përfitimet e të gjitha prokurimeve publike të institucionit të Presidentit ku është punësuar, i dyshuar në mënyrë fiktive, djali i tij, pas emërimit ët zotit Begaj si President. Djali i Presidentit, vetëm 23 vjeç, ndërkohë që ndodhet gjithë kohës jashtë vendit ku rezulton me studime dhe i punësuar, njëkohësisht rezulton se është i punësuar edhe në një kompani sigurimesh në një kompani në territorin e Shqipërisë me dyfishin e pagës që marrin punonjësit e tjerë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




