Pelegrinazhi në malin e Tomorit, festa e besimtarëve bektashinj pritet të ketë afro 500 mijë njerëz
Të shumtë janë ata që ndjekin pelegrinazhin në malin e Tomorit në Berat.
Kjo festë e Komunitetit Bektashi mbledh jo vetëm besimtarë nga Shqipëria, por edhe nga jashtë saj.
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, uroi besimtarët që do t’i bashkohen pelegrinazhit, i cili do të zhvillohet për pesë ditë në Teqenë e Kulmakut dhe pranë varrit të Abaz Aliut.
“Jemi në ndihmë të pelegrinëve në çdo moment, duke filluar nga rruga, nga uji, nga çdo gjë sanitare që do u vijë në ndihmë atyre, nga pjekjet e mishit. Gjithçka që u nevojitet atyre, ne do të jemi në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë në çdo moment. Këtu kanë ardhur gjithë këto ditë mijëra pelegrinë për të parë e për të marrë bekimin e këtij mali të shenjtë,” u shpreh kryegjyshi botëror.
Ndërkohë, Komuniteti Bektashi ka marrë të gjitha masat e nevojshme për rendin dhe sigurinë publike. Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe situatës së zjarreve.
“Policia, zjarrfikëset, mjekët… ne jemi në gatishmëri. Pra, kemi kaq ditë që punojmë, bile kemi bërë edhe një skemë sesi do të përqendrohen njerëzit, ku do të vendosen çadrat, policia, zjarrfikësit, mjekësia. Kemi vënë edhe tabela që njerëzit të mos bllokojnë qarkullimin, por të venë lart direkt,” tha kryegjyshi botëror.
Pelegrinët kanë nisur ngjitjen drejt teqesë, duke mbajtur ritet dhe lutjet e tyre. Festa pritet të kulmojë me një pjesëmarrje të gjerë në ditët në vijim.
Gazetare: Bjolanda Cuku
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




