Peleshi: Historia rikthehet në Kuvend pas një shekulli

Kuvendi i Shqipërisë ka nisur sot (16 nëntor), një cikël të ri dhe të veçantë historiko-institucional, kushtuar fjalimeve që kanë formësuar shtetin dhe kulturën parlamentare shqiptare. Kjo nismë është ndërmarrë nga Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i cili theksoi rëndësinë e rikthimit të dokumenteve dhe fjalimeve themelore që kanë orientuar rrugëtimin e shtetit shqiptar për më shumë se një shekull.
Cikli hapet me rikthimin e Mbledhjes së parë të datës 21 janar 1924, ku përmes Inteligjencës Artificiale, vjen sot me një qartësi zëri e figure Luigj Gurakuqi, një prej personaliteteve më të ndritura të kombit. Në fjalën e tij, Gurakuqi artikulonte besimin se Shqipëria kishte dëshmuar aftësinë për t’u bashkuar dhe për të ndërtuar institucionet e veta, se shteti i ri kishte nevojë për themele të forta, ligje të drejta dhe përfaqësues me përgjegjësi, ndërsa rruga e kombit duhej të ishte ajo e maturisë, unitetit dhe qëllimeve të përbashkëta.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, u shpreh se rikthimi i këtyre fjalimeve me mbështetjen e teknologjisë moderne është një mënyrë për t’i dhënë jetë kujtesës historike dhe për të krijuar një urë mes brezave që kanë ndërtuar dhe atyre që vazhdojnë të ndërtojnë shtetin shqiptar. Cikli “Fjalimet e Parlamentarizmit Shqiptar” do të vijojë me sjelljen e momenteve dhe zërave të tjerë që kanë shënuar rrugëtimin demokratik të vendit.
“Fjalët që formësuan shtetin, vizionet që i dhanë drejtim kombit! Sot nisim një cikël të veçantë, duke sjellë fjalimet më të rëndësishme të parlamentarizmit shqiptar që prej krijimit të tij.
Përmes mundësive që na jep Inteligjenca Artificiale, e nisim me Mbledhjen e parë të datës 21 janar 1924, me një prej mendjeve më të ndritura të kombit, Luigj Gurakuqin, i cili përcolli vizionin e tij për shtetin që po lindte.
Fjalët e tij nuk janë vetëm histori janë busull për të sotmen dhe për të ardhmen. Janë kujtesë se Shqipëria ndërtohet me punë, me përgjegjësi dhe me unitet”, shkruan Peleshi në rrjetin e tij social.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




