Peleshi pret në takim Komisioneren për Zgjerim: Mbështetje e plotë për rrugëtimin e Shqipërisë në BE

Politikë | 12 muaj më parë

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, priti këtë të enjte (20 nëntor) në një takim Komisioneren për Zgjerim të Bashkimit Europian, Marta Kos, mbi ecurinë e integrimit europian dhe prioritetet e këtij procesi pas çeljes së të gjithë kapitujve të negociatave.

Gjatë takimit, Komisionerja Kos vlerësoi rezultatet e arritura nga Shqipëria, duke theksuar se vendi ka bërë progres mbresëlënës.

“Është e lehtë të mbështesësh Shqipërinë për shkak të performancës së lartë. Zgjerimi e bën Europën më të fortë. Shqipëria në vitet e fundit ka bërë një punë të shkëlqyer. Vlerësojmë shumë mbështetjen popullore dhe konsensusin politik e parlamentar për integrimin në BE”, u shpreh ajo.

Kryetari Peleshi nënvizoi angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për integrimin evropian, duke e cilësuar atë si prioritet madhor dhe objektiv strategjik kombëtar.

“Integrimi evropian ka rrënjë në historinë dhe identitetin tonë, në moton e rilindasve “për Shqipërinë dielli lind nga perëndon”. Kuvendi do të vazhdojë të garantojë legjitimitetin demokratik, transparencën dhe karakterin gjithëpërfshirës të procesit. Si Kryetar i Kuvendit do të mbështes aksesin dhe kontributin e opozitës dhe qytetarëve në integrim”, u shpreh ai.

Në takim mori pjesë edhe Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj dhe Kryetari i Komisionit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani.

Gjekmarkaj theksoi mbështetjen e opozitës për integrimin në BE, duke insistuar në rëndësinë e standardeve demokratike.

Takimi u përmbyll me angazhimin e përbashkët për të çuar përpara ritmin e negociatave dhe forcimin e bashkëpunimit me institucionet europiane.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme