Përballja me pasiguritë globale, mbahet konferenca “Lufta në Lindjen e Mesme dhe siguria në epokën e krizave hibride”
Është mbajtur konferenca “Lufta në Lindjen e Mesme dhe siguria në epokën e krizave hibride: refleksione për vendet e vogla, Shqipëria si vend partner”, ku u trajtuan zhvillimet gjeopolitike dhe sfidat e sigurisë.
Në fjalën e mbajtur, kumtesa e Marenglen Kasmit riktheu vëmendjen te transformimi i Lindjes së Mesme që nga pasojat e Luftës së Parë Botërore, duke ndriçuar rrënjët strukturore të paqëndrueshmërisë aktuale.
Ai theksoi se tensionet e sotme lidhen ngushtë me trashëgiminë historike dhe ndërhyrjet ndërkombëtare ndër vite.
“Analiza nuk synon vetëm të përshkruajë ngjarjet, por të tregojë se si trashëgimia historike vazhdon të ndikojë në zhvillimet gjeopolitike dhe politike të rajonit. Transformimi modern i lindjes së mesme fillon me shpërbërjen e Perandorisë Osmane, pra pas luftës së parë Botërore. Hapësirë që për shekuj kishte funksionuar si një njësi relativisht e integruar politike dhe administrative u fragmentua në një sërë etnitetesh të reja shtetërore”, tha Kasmi.
“Konflikti në Lindjen e Mesme nuk është një çështje e izoluar gjeografikisht, por një zhvillim që ndikon drejtpërdrejt në arkitekturën globale të sigurisë, ekonomisë ndërkombëtare dhe ekuilibrave strategjik”.
Gjatë konferencës, në panelin e dytë u trajtua siguria si një ndërthurje e energjisë, infrastrukturës, inteligjencës dhe vendimmarrjes strategjike, me kontribute nga disa ekspertë. Në përfundim, u theksua se siguria moderne varet nga balanca mes kapaciteteve, perceptimeve dhe zgjedhjeve strategjike të shteteve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




