Përfundimi i luftës- Zelensky: Gati për bisedime direkte me Putin në Stamboll

Botë | 1 vit më parë

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se është i gatshëm të takohet personalisht me presidentin rus, Vladimir Putin, në Stamboll të enjten për të diskutuar mundësitë për përfundimin e luftës që ka shpërthyer mes dy vendeve.

Kjo deklaratë vjen pas thirrjes së Presidentit të SHBA, Donald Trump, për bisedime të drejtpërdrejta midis Ukrainës dhe Rusisë në Turqi.

Në një postim të tij në rrjetin social X, Zelensky theksoi se nuk ka kuptim që luftimet të vazhdojnë dhe se është i gatshëm të presë Putin për të biseduar në Stamboll. “Nuk ka kuptim të zgjaten vrasjet. Dhe unë do të pres Putinin në Turqi të enjten. Personalisht,” shkroi Zelensky.

Më herët, ai kishte shprehur se Ukraina është e hapur për bisedime me Rusinë, por vetëm pasi të jetë vendosur një armëpushim të plotë. Ky qëndrim ka marrë mbështetje nga fuqitë perëndimore, të cilat kërkuan një pauzë 30-ditore në luftime, e cila do të niste të hënën, pas një takimi të udhëheqësve evropianë në Kiev.

Pas kësaj thirrjeje, Putin ftoi Ukrainën të ulej për negociata serioze mbi luftën. Në një fjalim të mbajtur të dielën (11 maj), ai theksoi mundësinë e një marrëveshjeje për një armëpushim të ri, por nuk iu referua kërkesave për një armëpushim 30-ditor. Ai theksoi se bisedimet mund të çonin në një paqe afatgjatë, por vetëm nëse Ukraina nuk vazhdon me rinovimin e forcave të saj ushtarake.

Ndërkohë, Trump me anë të një postimi në rrjetet sociale, u shpreh se Ukraina duhet të pranonte menjëherë ofertën e Putinit për bisedime dhe se kjo mund të ndihmonte në sqarimin e mundësisë për një marrëveshje paqeje.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme