Përfundojnë mandatet e zyrtarëve të lartë të ambasadës së SHBA-së, Policia e Shtetit nderon Kathryn Hammond dhe Jonathan Ellis

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka organizuar një ceremoni zyrtare vlerësimi me rastin e përfundimit të mandateve në Shqipëri të Zëvendësshefes së Misionit në Ambasadën Amerikane, Kathryn Hammond, dhe Shefit të Zyrës Rajonale të Sigurisë në këtë ambasadë, Jonathan Ellis.
Ceremonia u drejtua nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, me pjesëmarrjen e drejtuesve të lartë të strukturave policore, në shenjë mirënjohjeje për kontributin operacionale dhe strategjik të dy zyrtarëve amerikanë gjatë viteve të shërbimit të tyre në vendin tonë.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, Drejtori i Përgjithshëm, Skender Hita, vuri në dukje se ndihma e pakursyer e zj. Hammond dhe z. Ellis ka shërbyer për rritjen e kapaciteteve të Policisë së Shtetit. Bashkëpunimi mes agjencive ligjzbatuese të të dy vendeve është përqendruar në fusha kritike të sigurisë.
Sipas Drejtorit të Përgjithshëm, rezultatet kanë ardhur në rritje falë mbështetjes konkrete në disa drejtime kryesore si: Mbështetje e vazhdueshme në trajnime profesionale dhe logjistikë; realizimi i hetimeve të përbashkëta dhe shkëmbimi intensiv i informacionit; luftë e koordinuar kundër terrorizmit, krimit të organizuar, krimeve financiare dhe krimeve ndërkufitare.
Drejtuesi Madhor Hita theksoi se:
“Edhe pse misioni i tyre në Shqipëri përfundoi, miqësia dhe partneriteti me vendin tonë do të vijojnë të mbeten të forta.”
Vlerësimi i zyrtarëve amerikanë për profesionalizmin e policisë
Nga ana e tyre, dy zyrtarët e lartë të Ambasadës së SHBA-së, Kathryn Hammond dhe Jonathan Ellis, shprehën mirënjohjen për mikpritjen dhe mbështetjen e ofruar përgjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri, duke e cilësuar këtë periudhë si një pikë kulmore në aspektin profesional.
Ata vlerësuan hapat e hedhur përpara në goditjen e strukturave kriminale dhe shprehën besimin e tyre të plotë te profesionalizmi i kreut të Policisë së Shtetit.
“Bashkëpunimi me Policinë e Shtetit ka qenë ndër përvojat më të mira profesionale të karrierës sonë,” deklaruan zj. Hammond dhe z. Ellis, duke konfirmuar besimin e tyre te Policia e Shtetit dhe te profesionalizmi i Drejtorit të Përgjithshëm, Drejtues Madhor Skender Hita.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.














