Përgatitet premiera e ciklit të veprave të Beethoven, dirigjenti zvicerian Agudin: Dua ta bëj orkestrën e RTSH-së më të mirën në rajon brenda 3 viteve

Kulturë | 1 vit më parë

Një ngjarje e rëndësishme kulturore është në prag të realizimit me Orkestrën Sinfonike të RTSH-së. Dirigjenti i njohur zviceran, Facundo Agudin, së bashku me tenorin Remy Burnens, kanë dhënë detaje për koncertin e së premtes, i cili i kushtohet ciklit të veprave të Ludëig van Beethoven.

Të ftuar në emisionin “Në kohë reale” në RTSH, Agudin dhe Burnens shprehën entuziazmin e tyre për bashkëpunimin me orkestrën shqiptare.

Ambicja e dirigjentit Agudin

Për dirigjentin Agudin, ky është bashkëpunimi i parë me Orkestrën e RTSH-së. Ai u shpreh se ndjehet i relaksuar dhe “si në shtëpi” në Tiranë, duke vlerësuar standardin e lartë të përkushtimit të muzikantëve.

“Muzikantët e orkestrës së RTSH-së duken të përkushtuar gjatë provave. Ata flasin me dashuri të madhe për muzikën. Dua që brenda 3 viteve ta bëj orkestrën e RTSH-së më të mirën në rajon,” deklaroi Agudin.

Dirigjenti theksoi se është thelbësore që një orkestër profesionale si kjo e RTSH-së të interpretojë repertorin e Beethovenit, duke premtuar se publiku i Tiranës do të ketë qasje të drejtpërdrejtë ndaj veprave të kompozitorit të madh. Ai shtoi se ka “kimi” në punën e tij me orkestrën.

Tenori Burnens: Një eksperiencë unike

Tenori Remy Burnens, i cili ka interpretuar edhe më parë këtë repertor, e cilësoi vizitën dhe performancën e ardhshme si “fantastike” dhe “diçka shumë të veçantë”.

“E kam bërë edhe më parë këtë performancë, por çdo sfidë është e re. Është një eksperiencë e veçantë dhe unike,” u shpreh Burnens.

Koncerti i të premtes pritet të jetë një pikë kulmore për skenën muzikore të Tiranës, duke sjellë standarde të larta interpretative me veprat e një prej gjenive më të mëdhenj të muzikës klasike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme