Përkeqësohet situata e zjarreve në Delvinë, vjen në ndihmë edhe një avion italian

Zjarret e fuqishme vijojnë në Delvinë, ku një vatër e re ka shpërthyer në fshatin Lefterohor, duke futur flakët në zonat e banuara dhe shkaktuar evakuimin e banorëve. E njëjta situatë paraqitet edhe në fshatin Kakodhiqi, ndërsa shumë banesa janë djegur.
Forcat zjarrfikëse, trupat ushtarake, helikopterë emergjencash dhe vullnetarë janë angazhuar intensivisht për të frenuar përhapjen e flakëve. Gjithashtu në ndihmë u ka ardhur edhe një avion italian “Canadair” për të bërë të mundur shuarjen e flakëve në Delvinë.
Pavarësisht përpjekjeve, era e fortë dhe terreni i pjerrët kanë bërë ndërhyrjen tejet të rrezikshme.
Në këtë moment, banorët janë evakuuar për shkak të rrezikut të lartë. Ndërkohë, shumë të tjerë po punojnë në terren për të ndihmuar ekipet e shpëtimit, si dhe duke kontribuar në shuarjen e flakëve.
Tymi toksik dhe smogu kanë përfshirë të gjithë zonën duke rrezikuar jetën e forcave në terren dhe banorëve.
Një tjetër situatë problematike po përjetohet në Poliçan, ku zjarri ka përfshirë pyllin me lisa dhe pisha në zonën e mbrojtur Balloll. Në terren janë duke vepruar tre mjete zjarrfikëse dhe 33 forca ushtarake. Zjarri është shumë i madh dhe, për shkak të erës së fortë, ka djegur deri tani rreth 50 hektarë pyll.
Autoritetet dhe ekipet e emergjencës po punojnë intensivisht për të kontrolluar situatën.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




