Përkujtohet masakra e Pobregut, fshati me më shumë të masakruar nga ushtria serbe ne nëntor 1913

Aktualitet | 1 vit më parë

Me ekzekutimin e himnit kombëtar nga Flavia Matmuja, vajzë e Porbregut, nisi ceremonia përkujtimore në nder të më shumë se 350 të masakruarve — burra, gra, fëmijë dhe të moshuar — të këtij fshati nga ushtria serbe në vitin 1913.

Nazif Matmuja, banor i fshatit Porbreg, si dhe Adem Hallaçi, autor i librit për masakrën e Porbregut, rrëfejnë ato ngjarje tragjike që kanë dëgjuar nga prindërit e tyre të mbijetuar nga kjo masakër.

“Vetëm në shtëpinë time janë masakruar njëmbëdhjetë anëtarë të familjes. Nga këta, babain, babai im e gjeti trupi veç, koka veç,” tregoi z. Matmuja.

“Këto ngjarje të mos harrohen. Është shumë e rëndësishme që të shfaqim mendime të asaj kohe jashtëzakonisht të vështirë për fshatin tonë,” tha z. Hallaçi.

Sipas historianit nga Prizreni, Parim Kosova, Drejtor i Kompleksit Muzeal “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, rezistenca e popullit të Lumës ishte një frenim për ushtrinë serbe për të përparuar drejt Shqipërisë së Mesme e të Jugut.

“Po të mos ishte qëndresa shqiptare në krahinën e Lumës, kreshnikët, ushtria serbe kishte për të arritur në Durrës e ndoshta edhe në Vlorë para Ismail Qemalit,” theksoi z. Kosova.

Prefekti i Qarkut Kukës, Dritan Baji, e cilësoi si një nga ngjarjet më tragjike që kanë ndodhur mbi popullsinë civile, jo vetëm në Lume, por në mbarë vendin.

“Ky memorial na kujton një masakër që nuk e kam dëgjuar të ngjashme në gjithë Shqipërinë për nga përmasat dhe mënyra,” tha prefekti Baji.

Aktiviteti u ndërthur me interpretime këngësh patriotike nga rapsodët e Kukësit dhe këngë lirike nga Hersi Matmuja, këngëtare e mirënjohur e skenës shqiptare dhe asaj europiane.

Gazetar: Bujar Muçmata

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme