Përkujtohet në Korçë Faik Konica, aktiviteti me rastin e 83-vjetorit të ndarjes nga jeta
Është përkujtuar në Universitetin “Fan Noli” të Korçës 83-vjetori i ndarjes nga jeta të Faik Konicës, një prej mendjeve më të ndritura të kombit shqiptar, personalitet erudit që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e vendit tonë.
Në aktivitet mori pjesë edhe një nga figurat e nderuara të Federatës Panshqiptare “Vatra”, Beqir Potka, i cili bashkë me 21 bashkëatdhetarë të tjerë bëri të mundur kthimin e eshtrave të Konicës në Shqipëri – një amanet i tij që u realizua 50 vjet pas ndarjes nga jeta.
“Kanë kaluar gati 30 vite dhe ndiej kënaqësi që sot po shënohet një përvjetor i tillë. Perëndia deshi që, ashtu siç ai ëndërronte, eshtrat të ktheheshin këtu,” – u shpreh Beqir Potka, anëtar i Federatës Panshqiptare “Vatra”, SHBA.
Për Universitetin e Korçës, studimi dhe përcjellja e jetës e veprimtarisë së Faik Konicës ndër breza ka rëndësi të veçantë. Përkujtimi i figurave të mëdha të kombit shërben si udhërrëfyes për studentët dhe të rinjtë.
“Faik Konica, për atë që përfaqëson – tributin intelektual, letrar dhe eseistik – është padyshim pjesë e studimeve universitare. Megjithatë, duhet bërë çmos që shkëndija e mendimit të tij të shndërrohet në një udhërrëfyes për jetën e fëmijëve tanë,” – u shpreh Prof. As. Dr. Eris Rusi, përgjegjës i Departamentit të Gjuhë-Letërsisë në Universitetin e Korçës.
Në këtë aktivitet, Këshilli i Qarkut Korçë nderoi me certifikata mirënjohjeje Beqir Potkën dhe Ekrem Bardhën, të cilët kanë qenë pjesë e delegacionit prej 22 vetësh që mundësuan sjelljen e eshtrave të Faik Konicës në atdhe, 30 vite më parë.
Gazetare: Kostanca Koçi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




