Përmbytjet, Drejtori i Administrimit të Ujërave dhe Digave: Argjinaturat u tejkaluan nga prurjet, do nisim me vlerësimin e dëmeve

Drejtori i Administrimit të Ujërave dhe Digave në Ministrinë e Bujqësisë, Idriz Haxhiaj, i ftuar në studion e RTSH 24, deklaroi se shkaku kryesor i përmbytjeve të ditëve të fundit ka qenë dalja e lumenjve nga shtrati.
Sipas tij, argjinaturat e lumenjve janë ndërtuar për një kapacitet të caktuar, ndërsa gjatë ditëve të fundit intensiteti i reshjeve ka qenë shumë i lartë, duke sjellë tejkalimin e këtij kapaciteti.
“Këtë herë kemi të bëjmë me dalje të lumenjve nga shtretërit e tyre. Jemi në dimër dhe sasia e reshjeve është deri diku e parashikuar, por intensiteti ka qenë veçoria kryesore e kësaj situate”, tha Haxhiaj.
Ai shtoi se edhe shkarkimet e hidrocentraleve mund të kenë ndikuar, por theksoi se këto veprime janë kryer sipas protokolleve përkatëse. “Jam i bindur që hidrocentralet kanë shkarkuar të detyruara, bazuar në rregullat e tyre teknike”, u shpreh ai.
Haxhiaj nënvizoi se kanalet kulluese kanë humbur funksionin për shkak të nivelit të lartë të ujit, por me uljen e prurjeve të lumenjve do të nisë edhe kullimi i zonave të përmbytura. Sipas tij, përmbytjet kanë ndodhur në periudhën dhjetor–janar, kur nuk ka kultura bujqësore jetike, çka ka shmangur dëme më të mëdha. “Nëse kjo situatë do të ndodhte në pranverë apo në muajt qershor-korrik, dëmet do të ishin shumë më të rënda”, theksoi ai.
Aktualisht, dëmet janë kryesisht në parcela me kultura foragjere. Autoritetet janë në fazën e eliminimit të pasojave dhe riparimit të dëmeve, ndërsa vlerësimi i tyre do të nisë sapo kushtet e motit dhe situata në terren ta lejojnë. “Nuk mund të flasim ende për përqindje apo vlera financiare, pasi ekziston një procedurë e caktuar që nis pas fazës emergjente,” sqaroi Haxhiaj.
Ai bëri me dije se aktualisht prioritet mbetet shpëtimi i bagëtive, ndihma për fermerët dhe bashkëpunimi me pushtetin vendor. Sa i përket përgjegjësisë institucionale, Haxhiaj theksoi se ajo është e përshkallëzuar dhe përfshin fermerët, pushtetin lokal, drejtoritë rajonale të Ministrisë së Bujqësisë dhe institucionet qendrore, secili sipas rolit të tij në gatishmëri dhe parandalim.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



