Përmirësohet situata hidrike në vend – Liqeni i Fierzës rritet me 13 metra në një javë

Aktualitet | 11 muaj më parë

Niveli i ujit në liqenin e Fierzës po rritet dita ditës me një mesatare ditore rreth 2 metra. Vetëm në një javë ai u rrit me të paktën 13 metra duke shkuar drejt kuotës 280 metra mbi nivelin e detit.

Përmirësimi i situatës hidrike erdhi menjëherë pas reshjeve të dendura të shiut në mesin e nëntorit reflektuar me shtim të prurjeve me të paktën 400 metër kub ujë në sekondë. Burime të KESH bëjnë me dije se hidrocentrali i Fierzës ende nuk është vënë në punë.

Kjo për të akumuluar rezervat ujore por edhe për të shmangur shkarkimet për mes turbinave çka do te ndikonin negativisht në shtimin e prurjeve në liqenin e Komanit e për pasojë në liqenin e Vaut të Dejës i cili është thuajse në kuotat maksimale.

Vetëm nga turbinat, hidrocentrali i Fierzës shkarkon rreth 600 metër kub ujë në sekondë. Niveli i prurjeve dhe ky ritëm i rritjes se kuotës do ta çojë shumë shpejt në kuotën maksimale prej 296 metrave mbi nivelin e detit.

Drin i Bardhë dhe Drin i Zi kanë ende sasi të mjaftueshme prurjesh të cilat krahas ujit po sjellin edhe mbetje duke ndotur brigjet e liqenit. Anija e pastrimit tashmë ndodhet në ujë e gatshme për të rinisur procesin e pastrimit të sipërfaqeve dhe pikave të ndotura të liqenit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme