Përmirësohet situata në qarkun Shkodër, ulet niveli i ujit në zonat e prekura. Të përmbytura 800 hektarë tokë bujqësore

Aktualitet | 10 muaj më parë

Situata e përmbytjeve në qarkun e Shkodrës paraqitet më e përmirësuar krahasuar me një ditë më parë, ndërsa nën ujë janë 800 hektarë tokë bujqësore në total. Gjithashtu në të gjithë qarkun nuk ka prezencë uji në brendësi të banesave, por vetëm në oborret e tyre.

Në zonën e Obotit është shënuar ulje e nivelit të ujit, ndërsa aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore vijon të ketë prezencë uji rreth 100 cm, nga 110 cm që ishte një ditë më parë. Mjetet e Bashkisë Shkodër dhe strukturat mbështetëse janë të pranishme edhe sot në Obot, në gatishmëri të plotë për garantimin e aksesit dhe ndihmës ndaj banorëve. Po ashtu, varkat vijojnë të jenë në terren për të siguruar transportin dhe ndërhyrjen në rast nevoje. Gjatë ditës së djeshme, banorët e zonës janë furnizuar me ndihma përmes një kamioni.

Aktualisht, në Obot raportohet prezencë uji në oborret e disa banesave, por deri në këto momente nuk ka njoftime për depërtim të ujit në brendësi të shtëpive.

Në Dajç, konkretisht në zonën Urrelat–Shirq, është konstatuar ulje e nivelit të ujit rreth 10 cm krahasuar me ditën e djeshme. Megjithatë, vijon të ketë ujë në kanalet kulluese të tokave bujqësore, pa rrezik për banesat.

Sipas të dhënave zyrtare, sipërfaqja e tokës bujqësore e prekur nga uji është rreth 800 hektarë, konkretisht: Dajç: 80 hektarë, Velipojë: 120 hektarë, Ana e Malit: 550 hektarë, Bërdicë: 50 hektarë.

Në bashkinë Malësi e Madhe, në fshatin Vukpalaj janë ende 20 banesa me ujë rreth oborreve, por niveli i ujit ka rënë krahasuar me ditët e mëparshme. Nuk ka prezencë uji në tokat bujqësore, por të gjitha livallet nga Vija e Vrakës deri në fshatin Gashaj mbeten të përmbytura nga prurjet e Liqenit të Shkodrës.

Në aksin Harku i Bërdicës – Velipojë, pranë fillimit të Bypass-it të Bërdicës, një tubacion i dëmtuar ka shkaktuar rrjedhje uji dhe formim akulli në karrexhatë. Janë marrë masa të menjëhershme me hedhje kripe dhe situata vijon të monitorohet.

Akset rrugore Koplik–Bogë, Dedaj–Razëm dhe Bogë–Theth janë të kalueshme, ndërsa në zonën e Qafë Thorës nuk është evidentuar rrezik nga ortekët. Vijon puna për pastrimin e borës së sjellë nga era dhe kriposjen e akseve rrugore.

Autoritetet bëjnë me dije se situata paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim, ndërsa monitorimi në terren po vijon pa ndërprerje nga të gjitha strukturat përgjegjëse.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme