Përplasje e hapur diplomatike, kryeministri kanadez kundërshton talljet e zyrtarëve amerikanë dhe mbron sovranitetin e vendit

Amerikë | 2 muaj më parë

Kryeministri i Kanadajë, Mark Carney, ka lëshuar një deklaratë të fortë ndaj administratës së Shteteve të Bashkuara, duke i kërkuar asaj të “ndalojë së bëri meme, të ndalojë së hedhuri hije dhe të ndalojë së përpjekuri të jetë i ashpër”, në mes të një përshkallëzimi të tensioneve tregtare dhe diplomatike mes dy vendeve fqinje.

Reagimi i Carney vjen pas dështimit të bisedimeve tregtare më 21 gusht, të cilat u shoqëruan me një valë provokimesh dhe talljesh nga ana e Uashingtonit në mediat sociale. Ndër veprimet e fundit të administratës amerikane përfshihen nisma e Presidentit Donald Trump për të riemëruar Liqenin Ontario në “Liqeni Amerika”, deklaratat e Sekretarit të Thesarit Scott Bessent, si dhe një postim tallës i Sekretarit të Luftës Pete Hegseth në platformën X, i cili u cilësuar nga kryeministri kanadez si diçka që “poshtëron zyrën e tyre”.

Kushtet e papranueshme tregtare

Gjatë prononcimit të tij, Carney theksoi se bisedimet mund të rifillojnë vetëm nëse ShBA-ja heq dorë nga qasja joserioze, por akuzoi Uashingtonin se po kërkon kushte që do të linin industritë kanadeze “të shkatërroheshin gradualisht në Kanada dhe të zhduken”. Sipas tij, administrata amerikane ka kërkuar marrëveshje “jokonkurruese” për sektorë kyç si ai i automjeteve, ka synuar ndryshime që prekin kulturën dhe mbrojtjen e gjuhës frënge, si dhe ka tentuar të vendosë kufizime mbi marrëveshjet e ardhshme tregtare të Kanadasë.

“Kanadaja është një shtet sovran. Ne do të lidhim marrëveshje të tregtisë së lirë me vendet me të cilat dëshirojmë të lidhim marrëveshje të tregtisë së lirë,“ u shpreh prerë kryeministri kanadez, duke shtuar se Otava nuk do t’i pranojë kurrë kushtet që cënojnë interesat dhe pavarësinë e vendit.

Megjithatë, Carney pranoi se përpara ndërprerjes së dialogut, në tryezë kishin qenë edhe disa elementë të dobishëm dhe reciprokisht të favorshëm, duke lënë hapësirë për negociata nëse Uashingtoni ndryshon qasje.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme