Peshkatarët në protestë për naftën, kërkojnë të subvencionohen nga qeveria
Sektori i peshkimit në Durrës po përballet me një krizë të thellë, të shkaktuar nga rritja e çmimit të naftës, si pasojë e tensioneve dhe konfliktit të armatosur në Lindjen e Mesme. Në këto kushte, mes frikës për falimentim, flota e peshkimit ka protestuar duke kërkuar nga Ministria e linjës dhe qeveria subvencionimin e karburantit.
“Çmimi i naftës është rritur shumë dhe flota e peshkimit ka hyrë në një krizë shumë të thellë. Deri tani nuk ka asnjë reagim, nuk ka asnjë lloj mbështetje dhe asnjë lloj sinjali që do të mbështetemi. Varkat janë të gjitha të bllokuara në port, njerëzit janë të detyruar të dorëzojnë licencat”, tha Klodian Kapiti, kreu i sindikatës së peshkimit.
Pronarët e peshkarexhave theksojnë se aktiviteti është bërë i paqëndrueshëm ekonomikisht.
“Duhet të mbyllemi ne, të ndërpresim punën, që të kujtohen ata, që janë përfaqësuesit tanë në ministri, që ky sektor, me këto çmime, nuk mund të vazhdojë punën. Çmimi 600 lekë për litër neve na zë nafta koston mbi 50%. Me 1000-1100 lekë për litër që është sot ne jemi komplet jashtë kostos. Nuk mbetet as për ekuipazhin, as për të mbajt anijet sipër ujit”, tha Besim Troplini, pronar peshkarexhe.
“Çmimi i naftës të futet tek bursa e transparencës, sepse ç,mimi i naftës po luan çdo ditë”, u shpreh Nderim Mezini, pronar peshkarexhe
Në pamundësi për të paguar pagat dhe siguracionet e punonjësve, pronarëve të peshkarexhave rrezikojnë t’u largohet edhe krahu i punës , ku pjesa më e madhe e punonjësve janë shtetas egjiptianë.
“Shumë problem. Të gjithë jemi gati për të ikur në Egjipt. Nuk ka lekë, nuk ka lekë”, tha një shtetas egjiptian, që ka gati dy dekada që punon në peshkim në Durrës.
“Të gjithë ne do të shkojmë para kryeministrisë dhe ministrisë, pasi egjiptianët po ikin të gjithë. Janë mbi 400 veta që punojnë këtu”, tha Merzini.
Në një situatë të ngjashme gjatë krizës së çmimeve të naftës pas luftës në Ukrainë, qeveria ndërhyri me subvencione për sektorin e peshkimit, ndërsa aktualisht kërkesat e operatorëve mbeten ende të pa adresuara.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




