Pezullimi i dialogut strategjik SHBA-Kosovë, reagon qeveria dhe presidentja Osmani: Kosova partner serioz i SHBA-së për paqe në rajon

Kosovë | 1 vit më parë

Pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar për kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën, Qeveria e Kosovës ka reaguar përmes zëdhënësit të saj, Përparim Kryeziu. Në një postim të gjatë në rrjete sociale, Kryeziu ka theksuar se Republika e Kosovës mbetet partneri më serioz i SHBA-së për stabilitet, siguri dhe paqe në rajon.

Kryeziu ka deklaruar se Qeveria e Kosovës mirëpret edhe kritikat dhe, kur ato janë konkrete, përpiqet maksimalisht të përmirësojë dhe korrigjojë veprimet e saj.

Ai ka vlerësuar punën e qeverisë për eliminimin e vatrave të destabilizimit, me qëllim garantimin e stabilitetit të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Sipas tij, stabiliteti aktual është rezultat i sundimit të ligjit dhe rendit publi1k, duke shtuar se “në Kosovë kurrë nuk ka pasur më shumë sundim ligji e luftim krimi e korrupsioni në gjithë territorin e Kosovës”.

Reagimi i plotë i zëdhënësit Përparim Kryeziu: “Qeveria jonë ka qenë e para që ka përmbushur mandatin e plotë që nga shpallja e pavarësisë. Kjo i ka kontribuar stabilitetit institucional dhe zhvillimit socio-ekonomik të vendit, përkundër gjitha sfidave globale që kemi përjetuar nga viti 2021 e tutje, përfshirë këtu pasojat e pandemisë, krizës energjetike dhe luftës në Ukrainë.

Veprimet tona, të ligjshme dhe kushtetuese, përgjatë gjithë kohës kanë qenë në shërbim të eliminimit të vatrave të destabilitetit me qëllim garantimin e stabilitetit të qëndrueshëm dhe afatgjatë. Stabiliteti që gëzojmë sot është rezultat i natyrshëm i sundimit të ligjit dhe rendit publik. Në Kosovë kurrë nuk ka pasur më shumë sundim ligji e luftim krimi e korrupsioni në gjithë territorin e Kosovës. Në të kaluarën, stabiliteti është synuar në kurriz të sundimit të ligjit dhe rendit publik, rrjedhimisht kemi pasur stabiliteti të rrejshëm. Kjo është dëshmuar më së miri në ngjarjet dhe protestat e dhunshme të majit të vitit 2023 në të cilat individë dhe grupe kriminale nuk kursyen as pjesëtarët e KFOR-it dhe të EULEX-it në sulmet e tyre. Ndërkaq sulmi terrorist dhe paramilitar në Banjskë në shtator të po atij vitit, me përfshirjen e drejtpërdrejt të shtetit të Serbisë, e ka shpërfaqë para të gjithë botës se kush dhe ku në fakt është burimi i destabilitetit në rajon. Shprehim bindjen tonë të thellë se Republika e Kosovës është partneri më serioz i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për stabilitet, siguri dhe paqe në rajon.

Ne e kemi depolitizuar integrimin e serbëve në shtetin e Kosovës. Vullneti i bashkëqytetarëve tanë për integrim nuk ka munguar asnjëherë. Por ai shpesh ka qenë i sfiduar e i shtypur nga struktura ilegale e grupe kriminale. Ne jemi përballur me strukturat e Serbisë në Kosovë jo me serbët e Kosovës. Asnjëherë nuk i kemi barazuar qytetarët serb në Kosovë me strukturat ilegale e paralele të Serbisë në Kosovë. Përkundrazi, ne i kemi mbrojtur dhe i mbrojmë bashkëqytetarët tanë serb nga po këto struktura që për shumë gjatë janë përdorur si mekanizma dhe instrumente frikësimi, kërcënimi e kontrolli. Në të njëjtën kohë, duke i zëvendësuar ato me institucionet të Republikës së Kosovës jemi siguruar që nuk ka vakuum të shërbimeve. Gjithashtu jemi angazhuar për integrim të qëndrueshëm të serbëve në shoqërinë dhe institucionet tona, sidomos nëpërmjet punësimit dhe arsimit, siç është rasti me masën për punësim për banorët e katër komunave në veri të vendit dhe verifikimin e diplomave të Universitetit të Mitrovicës së veriut me qëllim lehtësimin e punësimit të bashkëqytetarëve nga radhët e komunitetit serb, krahas masave të tjera e të shumta sociale nga të cilat përfitojnë drejtpërdrejt pjesëtarët e këtij komuniteti.

Sa i përket kritikave publike të kryeministrit ndaj Gjykatës Kushtetuese, është qëndrimi i tij i hapur se me vendimet e saj, Gjykata Kushtetuese e ka cenuar karakterin demokratik të Republikës së pavarur, dhe se me joefikasitetin e saj në trajtimin e lëndëve është bërë bashkëpjesëmarrëse në agjendën e partive politike opozitare për të vonuar reformat themelore të paraparë në programin qeverisës. Rikujtojmë se aktualisht janë 18 ligje ende pa ndonjë vendim të Gjykatës Kushtetuese, të cilat janë në pritje të shqyrtimit të paktën qe 9 muaj, me theks te Ligji për Fondin Sovran që është pa përgjigje më shumë se 1 vit e 8 muaj.

Ne i jemi gjithmonë mirënjohjes për kontributin dhe angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendin tonë dhe i falënderojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për mbështetjen dhe ndihmën ndaj shtetit të Kosovës dhe popullit tonë në aq shumë fusha. I mirëpresim edhe kritikat. Kurdo që janë konkrete përpiqemi maksimalisht të përmirësojmë dhe korrigjojmë hapat e veprimet tona”.

Ndërkaq, ka reaguar edhe presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Duke iu referuar vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pezullimin e Dialogut Strategjik me Kosovën, ajo e ka cilësuar këtë aleancë si themelore për shtetësinë dhe të ardhmen e vendit.

Sipas Osmanit, raporti me SHBA-në është jo vetëm diplomatik, por edhe ekzistencial për identitetin shtetëror dhe kombëtar të Kosovës.

“Republika e Kosovës është ndërtuar mbi themelet e miqësisë së pathyeshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky raport nuk është vetëm diplomatik, por është pjesë ekzistenciale e identitetit tonë shtetëror dhe kombëtar. Drejt këtij qëllimi, angazhimi i Presidentes ka qenë dhe mbetet i palëkundur dhe i vazhdueshëm, siç është konfirmuar vazhdimisht nga lidershipi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshirë në letrën e fundit të Presidentit Trump drejtuar Presidentes Osmani të gushtit 2025. Prandaj, Presidentja shprehë keqardhje dhe shqetësim të thellë rreth vendimit për pezullimin e Dialogut Strategjik, një mekanizëm i rëndësishëm i bashkëpunimit në mes Kosovës dhe SHBA-ve. Pas punës së jashtëzakonshme të ekipit të Presidencës dhe të Departamentit të Shtetit, ky proces u finalizua me konfirmimin përfundimtar në takimin mes Presidentes Osmani dhe Departamentit të Shtetit, në janar 2025. Çështja e aleancës me SHBA-të, është çështje strategjike që kërkon unitet politik dhe angazhim të të gjithëve në Kosovë. Qytetarët e Kosovës e dinë se liria e tyre u bë realitet edhe me ndihmën vendimtare të SHBA-ve dhe se pa këtë miqësi historike nuk do të kishim arritur kurrë këtu ku jemi sot”, thuhet në deklaratën e Osmanit të publikuar nga Presidenca.

Osmani thekson më tej se do të vazhdojë të punojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.

“Siguria e Republikës së Kosovës është fuqishëm e lidhur me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, prandaj secili duhet ta marrë me seriozitetin dhe përgjegjësinë maksimale ruajtjen e kësaj aleance të shenjtë. Dialogu Strategjik i arritur në janar 2025 është një mekanizëm tejet i çmuar i këtij bashkëpunimi. Në këtë frymë, Presidenca e Republikës së Kosovës do të angazhohet maksimalisht e me përkushtim të lartë që ky dialog të rifillojë sa më shpejt, sepse partneriteti ynë me Shtetet e Bashkuara është jo vetëm garanci për të tashmen, por edhe busulla më e sigurt drejt së ardhmes”, përfundon deklarata e Osmanit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme