Pezullohen tre efektivë në Kuçovë pas publikimit të videos së shoqërimit të një shtetasi

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka njoftuar pezullimin e menjëhershëm nga detyra të tre punonjësve të Policisë pranë Komisariatit Kuçovë, pas publikimit të një videoje në rrjetet sociale ku shfaqet shoqërimi i një qytetari.
Masat disiplinore përfshijnë inspektorët K. M. dhe D. D., me detyrë trupa e Patrullës së Përgjithshme, si dhe inspektor A. M., në cilësinë e ndihmësspecialistit (SPZ). Sipas vendimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, çështja i ka kaluar për verifikim Drejtorisë së Standardeve Profesionale.
“Në zbatim të kërkesave të ligjit ‘Për Policinë e Shtetit’ dhe të Rregullores së Policisë së Shtetit, Drejtori ka urdhëruar nisjen e hetimit disiplinor ndaj 3 punonjësve të pezulluar nga detyra, për shkeljet ‘Përdorimi i paligjshëm dhe i paarsyeshëm i forcës’ dhe ‘Kryerja e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë, institucionin apo shërbimin policor në tërësi'”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Në vijim të sqarimeve për opinionin publik, autoritetet policore kanë korrigjuar motivin e ndërhyrjes të pasqyruar në rrjetet sociale, duke specifikuar se veprimi nuk lidhet me shkelje urbanistike.
“Shoqërimi i shtetasit D. T., që shfaqet në video, nuk është bërë për kryerjen e punimeve të ndërtimit pa leje, por për shkak se ndaj tij është bërë kallëzim për kanosjen e kunatës së tij,” përcakton njoftimi i institucionit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



