Pianistja “e artë”, Doris Xhinaku fituese e Medaljes së Artë në konkursin ndërkombëtar në Itali
Pianistja e re Doris Xhinaku ka shënuar një tjetër sukses në arenën ndërkombëtare të muzikës, duke u shpallur fituese e Medaljes së Artë në Konkursin Ndërkombëtar të Pianistëve të Rinj, zhvilluar në Verona të Italisë.
Ajo konkurroi në Kategorinë B, ku spikati me interpretimin e saj artistik dhe nivelin e lartë muzikor, duke fituar vlerësimin maksimal të jurisë.
Unë u ndjeva shumë mirë, pak e emocionuar, sepse kishte konkurrencë të fortë. Nuk kisha marrë ndonjëherë pjesë më parë dhe jam shumë e kënaqur që fitova edhe një çmim. Kam interpretuar “Dhuratë për mësuesen” nga Kozma Lara, “Sonata – Koha e parë” në Re-dur nga Joseph Haydn dhe “Carillon” nga Remo Vinciguerra.
Përveç medaljes së artë, Doris u përzgjodh edhe për të regjistruar një CD me pjesë të kompozitorit italian Remo Vinciguerra, një vlerësim i rëndësishëm për talentin dhe përkushtimin e saj në muzikë.
Suksesi i pianistes së re është pritur me emocione dhe krenari nga familjarët dhe mësuesit e saj.
“Ajo është pjesë e kulturës që transmeton qyteti i Korçë, veçanërisht për shkollën Shkolla “Tefta Tashko”, dhe sigurisht është një nga arritjet që shkolla do të ketë sivjet. Jam i sigurt, pasi përfunduam dje dëgjimin e pjesëve pianistike të nxënësve që do të marrin pjesë në konkurs, se niveli i tyre është shumë i lartë. Është e sigurt që do të kemi edhe çmime dhe medalje të tjera që do të vijnë në qytetin e Korçës”tha Ilir Zguri, Drejtor i Shkollës së Mesme Artistike “Tefta Tashko Koço”, Korçë
Një rol të veçantë në këtë arritje ka pasur edhe mësuesja Entela Kotelli Milo, e cila është vlerësuar për punën dhe përkushtimin në formimin artistik të nxënëses së saj.
Gazetare: Geralda Manushi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




