Pirdeni në Ekspres: Në skaner institucionet më vulnerabël ndaj korrupsionit. Shqipëria duhet të ecë e bashkuar drejt BE
Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, deklaroi se qeveria ka ndërmarrë një nismë të re në luftën kundër korrupsionit, duke fokusuar vëmendjen në sektorët më “të ndjeshëm” ndaj këtij fenomeni.
Në një intervistë për “Ekspres” në RTSH, Pirdeni tha se është duke u kryer një skanim i institucioneve më vulnerabël, duke filluar me sektorin e pronave dhe më pas me tatimet e doganat dhe prokurimet publike.
“Ne kemi ndërmarrë një nisëm që adreson korrupsionin aty ku dhemb më shumë, kemi nisur një skanim të institucioneve aty ku janë më vulnerabël ndaj korrupsionit dhe e kemi nisur me pronat në bashkëpunim me Kadastrën. Një skanim që synon të gjithë veprimtarinë e këtij institucioni dhe të evidentojmë të gjitha pikat e dobëta që lë më pas hapësirë për abuzim. Do vijojmë një analizë të sektorin e shëndetësisë në atë të shërbimeve dhe që mund të bëhen më pas shkak për korrupsion dhe më pas me tatimet dhe doganat dhe më pas me prokurime në bashkëpunim me autoritetet italiane që të kemi një qasje të ngjashme me ta për të parandaluar korrupsioni. Korrupsioni ka qenë endemike të gjitha stukuarat e shërbimeve në vend, megjithatë ka ende vend për përmirësime. Nga një anë digjitalizimi është një aleate për të luftuar korrupsion por dhe profesionalizmi duhet për të ofruar një shërbim cilësor dhe me integritet”, tha Pirdeni.
Në lidhje me procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, Pirdeni tha se Shqipëria duhet të harmonizojë legjislacionin me atë të BE-së dhe të ndërtojë struktura funksionale për zbatimin e detyrimeve që sjell hapja dhe mbyllja e kapitujve të negociatave.
Sipas saj, vendi duhet të ecë me hapa të sigurt drejt BE-së, duke treguar progres të qëndrueshëm në të gjithë kapitujt e negociatave dhe se bashkëpunimi politik në këtë proces është i domosdoshëm.
“Duhet të garantojmë që Shqipëria të linjëzojë legjislacionin e saj me atë të BE, or edhe të ketë një strukturë funksionale për të garantuar zbatimin e këtyre detyrimeve për mbylljen e kapitujve. Shqipëria duhet të tregojë progres përgjatë gjithë kapitujve dhe të vijojë me përparimet e saj. Edhe në spektrin politik ka një mbështetje të gjerë të procesit të integrimit dhe i gjithë debati është se kush do e bëjë më mirë këtë proces. Ne jemi të ndërgjegjshëm që do të vijojmë me angazhimin me të gjitha forcat politike dhe institucionale, pasi negociatat nuk i zhvillon qeveria shqiptare me BE-në, por Shqipëria me BE-në. Është e domosdoshme dhe e nevojshme që të gjithë palët aktive politike dhe ato të shoqërisë civile të jenë prezentë në debatet për negociatat. Shqipëria duhet të vazhdohet me hapa të sigurt drejt BE-së”, u shpreh Pirdeni.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.



