Plan për të sulmuar tregun e Krishtlindjes – Policia polake arreston një të dyshuar 19-vjeçar

Europë | 11 muaj më parë

Shërbimet polake të sigurisë ndaluan një 19-vjeçar pasi akuzohet se po përgatiste një sulm në një treg Krishtlindjesh që mund të kishte shkaktuar viktima të shumta. “19-vjeçari, student në Universitetin Katolik të Lublinit, donte të kryente sulmin duke përdorur eksplozivë dhe planifikonte t’i bashkohej një organizate terroriste”-  tha Jacek Dobrzynski, zëdhënës i ministrisë së Brendshme të Polonisë.

“Ai tentoi të krijojë kontakte me Shtetin Islamik dhe po përgatiste një sulm në një treg Krishtlindjesh ” – theksoi zyrtari i sigurisë duke mos pranuar të thotë se për cilin qytet bëhej fjalë në mënyrë që të mos shkaktonte panik.

Ai nënvizoi se 19 vjeçari u arrestua në fund të nëntorit në apartamentin e tij në Lublin, ku oficerët e Agjencisë së Sigurisë së Brendshme sekuestruan materiale të dyshimta, ndërsa gjykata urdhëroi që ai të mbahej në paraburgim për tre muaj.

Njoftimi i autoriteteve polake erdhi pas sulmit në Australi, ku dy persona, babë e bir, që vranë 15 persona dhe plagosën dhjetëra të tjerë në një plazh të Sidnejt, ku në shënjestër ishte komuniteti hebre, duket se ishin frymëzuar nga Shteti Islamik për aktin terrorist të së dielës.

Në mes të qershorit, Polonia ngriti akuza ndaj tre 19-vjeçarëve të dyshuar për mbledhjen e materialeve piroteknike dhe planifikimin e akteve terroriste, duke përfshirë edhe një sulm ndaj një shkolle në qytetin verior të Olsztynit.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme