Plani 28-pikësh SHBA–Rusi për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë

Botë | 12 muaj më parë

Një dokument 28-pikësh, pritet të diskutohet këtë javë, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy takohet në Kiev me zyrtarë të lartë të Pentagonit. Plani synon një marrëveshje të mundshme për t’i dhënë fund pushtimit rus të Ukrainës.

Një plan i ri 28-pikësh, i hartuar thuhet mes zyrtarëve amerikanë dhe rusë, ka rikthyer në qendër të vëmendjes diskutimet për mundësinë e një marrëveshjeje paqeje në Ukrainë. Ndërkohë që presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky pritet të takohet këtë të enjte (20 nëntor) në Kiev me zyrtarë të lartë të Pentagonit, burime ndërkombëtare raportojnë se draft-marrëveshja përfshin lëshime të thella territoriale, ushtarake dhe politike nga Ukraina.

Çfarë përmban plani?

Detajet e plota nuk janë bërë publike, por sipas raportimeve të medias amerikane Axios, Financial Times dhe New York Times, propozimi kërkon që Ukraina t’i dorëzojë Rusisë pjesën e mbetur të rajonit të Donbasit të pushtuar. Po ashtu, Kievi do të duhej të përgjysmonte forcat e armatosura dhe të hiqte dorë nga lloje të caktuara armatimesh, veçanërisht raketat me rreze të gjatë veprimi që mund të godasin objektiva brenda territorit rus.

Kjo do të nënkuptonte dorëzim vullnetar të territorit të Ukrainës, të cilin Rusia nuk ka arritur ta marrë me forcë në fushën e betejës.

Drafti parashikon gjithashtu ulje të ndihmës ushtarake amerikane në të ardhmen dhe ndalimin e çdo vendosjeje trupash perëndimore në Ukrainë, përfshirë elementët e Koalicionit të të Vullnetshmëve të udhëhequr nga Franca dhe Britania.

Marrëveshja përfshin detyrimin që Ukraina të njohë gjuhën ruse si gjuhë zyrtare dhe t’i japë status formal Kishës Ortodokse Ruse, dy kërkesa që pasojnë përpjekjet e Moskës për rusifikimin kulturor dhe fetar të vendit.

Në këmbim, SHBA-të dhe vendet evropiane mund t’i ofrojnë Ukrainës garanci sigurie kundër agresionit rus, megjithëse nuk ka ende qartësi se çfarë forme do të marrin këto garanci. Kujtohet se edhe Memorandumi i Budapestit i vitit 1994, ku SHBA ishte nënshkruese, u shkel më vonë nga Rusia.

Drafti shkel linjat e kuqe të deklaruara prej kohësh nga Kievi. Presidenti Zelenskyy ka theksuar se heqja dorë nga territori është e papranueshme për Ukrainën. Edhe aleatët evropianë e kanë bërë të qartë se nuk do të mbështesin një marrëveshje që cënon sigurinë e kontinentit dhe krahut lindor të NATO-s.

Plani dyshohet se është hartuar nga zyrtarë rusë dhe amerikanë, mes tyre Kirill Dmitriev, kreu i fondit sovran rus, i njohur për përfshirjen e tij në negociatat e mëparshme dhe kontaktet me të dërguarin special amerikan Steve Witkoff. Publikimi i parë nga Axios u shoqërua me një incident në platformën X, ku Witkoff dyshohet se i dërgoi gabimisht gazetarit një mesazh privat që më pas u fshi.

Deri tani, asnjë zyrtar i SHBA-së nuk e ka konfirmuar ekzistencën ose përmbajtjen e planit. Përgjigjet zyrtare kanë qenë të rezervuara. Zëvendësshefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, deklaroi se nuk kishte “asnjë njoftim për të bërë”.

Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, reagoi duke thënë se “përfundimi i një lufte komplekse si ajo në Ukrainë kërkon ide serioze dhe realiste”, duke nënvizuar se arritja e paqes do të kërkojë lëshime të vështira nga të dyja palët.

Ndërkohë, pritet që takimet në Kiev të japin më shumë dritë mbi pozicionin e Ukrainës ndaj propozimit dhe mbi mundësinë që ky plan të diskutohet zyrtarisht në skenën diplomatike ndërkombëtare.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme