Policia britanike po zhvillon kërkime intensive për një burrë i cili, gjatë një tubimi të ekstremit të djathtë, bëri thirrje për vrasjen e liderit laburist, Keir Starmer

Botë | 1 vit më parë

Policia britanike po kërkon një burrë i cili bëri thirrje për vrasjen e liderit laburist, Keir Starmer, gjatë tubimit të ekstremit të djathtë “Bashkoni Mbretërinë” në Londër të shtunën.

Ndërkohë, priten arrestime të mëtejshme pas dhunës që shpërtheu gjatë protestës, ku u plagosën 26 efektivë policie dhe u arrestuan 24 persona.

Policia Metropolitane vlerëson se rreth 110,000 deri në 150,000 persona morën pjesë në këtë tubim, të organizuar nga aktivisti Tommy Robinson (Stephen Yaxley-Lennon). Arrestimet përfshijnë akuza për sulm të zakonshëm dhe çrregullime të dhunshme, me moshën mesatare të të arrestuarve 39 vjeç.

Hetimet po vazhdojnë për të identifikuar personat e tjerë të përfshirë në trazira. Një video që qarkullon në rrjetet sociale, ku një burrë thotë se “Keir Starmer duhet të vritet”, është pjesë e këtyre hetimeve.

Në tubim, përveç Robinson, folën edhe figura të tjera të ekstremit të djathtë evropian. Ish-strategu i Donald Trump, Steve Bannon, dhe psikologu Jordan Peterson, të cilët ishin paralajmëruar si folës, nuk u paraqitën. Megjithatë, pronari i X, Elon Musk, u shfaq nëpërmjet një lidhjeje video, duke bërë komente rreth nevojës për “shpërbërjen e parlamentit” dhe duke pretenduar se “migrimi masiv i pakontrolluar” po dëmton Britaninë.

Organizata kundër ekstremizmit Hope Not Hope e përshkroi tubimin si më të madhin e ekstremit të djathtë në Britani, duke shprehur shqetësim për mesazhet kundër feve jo-krishtere, thirrjet për “rimigrimin” e emigrantëve të ligjshëm dhe teoritë e konspiracionit.

Tubimi u kundërshtua nga një protestë më e vogël e organizuar nga Stand Up To Racism, ku morën pjesë rreth 15,000-20,000 persona. Organizatorët thanë se disa prej tyre u sulmuan dhe u goditën.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme