Policia e Kosovës arreston një të dyshuar për sulmin ndaj KFOR-it dhe efektivëve në Zveçan

Policia e Kosovës ka vendosur në pranga një person të dyshuar për përfshirje në veprimtari penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Sipas policisë së Kosovë, bëhet fjalë për të dyshuarin me inicialet Lj. M, i cili referuar informacioneve operative kishte hyrë nga Serbia në territorin e Kosovës.
Ai dyshohet se ka marrë pjesë aktive në ngjarjet e dhunshme të datës 29 maj 2023, ku u sulmuan pjesëtarë të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës para objektit të komunës në Zveçan.
Prokuroria Speciale në koordinim me këtë institucion kanë ndërmarrë masa të menjëhershme për ndalimin e tij, për shkak të rrezikut të arratisjes, pasi i dyshuari punon dhe jeton në Serbi, si dhe për të parandaluar manipulimin apo zhdukjen e provave.
Arrestimi i tij është bërë në komunën e Zveçanit, ndërsa me mbështetjen e Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Veriut, është kryer edhe kontroll në shtëpinë e tij.
Policia shpjegon gjithashtu se gjatë kontrollit janë sekuestruar disa prova materiale, përfshirë një telefon, dy USB, disa uniforma ushtarake dhe një bluzë me mbishkrim nacionalist, që dyshohet se është përdorur ditën e incidentit.
I dyshuari është marrë në pyetje në prezencën e avokatit dhe përkthyesit, dhe me vendim të prokurorit është dërguar në paraburgim për 48 orë.
Ndaj tij është iniciuar procedura penale për veprat, “Bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, me qëllim të sulmit kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Rrezikim i personave nën mbrojtje ndërkombëtare”, “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale dhe huliganizëm”.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




