Policia godet aktivitetin e paligjshëm të call centerave në Tiranë, sekuestron 891 mijë euro dhe qindra pajisje elektronike

Aktualitet | 7 muaj më parë

Policia e Shtetit ka publikuar pamjet nga operacioni i koduar “Ghost Call”, i cili u finalizua nga Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik, në bashkëpunim me autoritetet austriake, me mbështetjen e EUROPOL dhe në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Pas një hetimi të thelluar 2-vjeçar, u godit një skemë mashtrimi kompjuterik e kryer nëpërmjet call centerave në Tiranë. 

Si rezultat i operacionit, u zbuluan 12 ambiente të vëna në funksion të kësaj veprimtarie kriminale.

Në pranga u vunë 10 shtetas, u ekzekutuan 2 masa sigurie për një shtetase, si dhe u shpallën në kërkim 4 persona të tjerë të përfshirë me role të ndryshme. 

Gjatë kontrolleve të kryera me vendim të Gjykatës së Tiranës, në 3 subjekte dhe 9 banesa, u gjetën operatorë të punësuar që kryenin mashtrim kompjuterik.

Policia sekuestroi 891,735 euro të dyshuara si të përfituara nga kjo skemë, si dhe 443 kompjuterë, 238 celularë, 6 laptopë dhe pajisje të tjera elektronike (HDD, DVR). 

Në vijim të veprimeve procedurale, u ekzekutuan 5 masa sigurie “Arrest në burg” për shtetasit E. D., 47 vjeç, M. H., 23 vjeç, T. A., 22 vjeç, L. T., 32 vjeç dhe Xh. M., 28 vjeç. Ndërsa me të njëjtën masë u shpallën në kërkim Xh. H., 30 vjeç dhe M. L., 28 vjeç. Gjithashtu, u ekzekutuan masat “Ndalimi për të dalë jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për shtetasen A. V., 33 vjeç, ndërsa me të njëjtat masa u shpall në kërkim L. C., 25 vjeç. 

Në kuadër të operacionit, u arrestuan në flagrancë K. B., 38 vjeç, E. H., 26 vjeç, B. B., 25 vjeç, K. D., 25 vjeç dhe E. T., 32 vjeç, ndërsa u shpall në kërkim D. J., 24 vjeç. Nga hetimet rezultoi se këta persona kishin rol drejtues në ekipet e përfshira në këtë veprimtari kriminale. 

Ekzekutimi i vendimeve u realizua nga oficerët e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe në koordinim të plotë me autoritetet austriake dhe ekspertë të Europolit. 

Policia e Shtetit deklaron se hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë. Ajo mbetet e angazhuar maksimalisht në luftën kundër krimit kibernetik, duke ftuar qytetarët të denoncojnë çdo rast të dyshuar, me garanci për anonimat dhe reagim të menjëhershëm. 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme