Policia shqiptare thellon bashkëpunimin me Arabinë Saudite

Kronikë | 1 vit më parë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, zhvilloi një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, me ftesë të homologut të tij, Gjeneral Lejtnant Mohammed bin Abdullah Al-Bassami. Gjatë takimeve, të dyja palët shprehën interesin për të thelluar bashkëpunimin në fusha të ndryshme të sigurisë.

Drejtori Al-Bassami theksoi se Arabia Saudite është e interesuar të zgjerojë bashkëpunimin me Policinë shqiptare, ndërsa Drejtori Proda konfirmoi se forcimi i marrëdhënieve ndërkombëtare është një prioritet për Shqipërinë.

Në qendër të diskutimeve ishte lufta e përbashkët kundër krimit të organizuar, terrorizmit, krimeve ekonomike dhe kibernetike. Drejtori Proda theksoi se “marrëveshja e bashkëpunimit e nënshkruar në vitin 2023 ka krijuar një bazë të fortë për një partneritet strategjik.”

Ai shprehu interesin e Policisë shqiptare për të mësuar nga eksperienca saudite, veçanërisht në menaxhimin e sigurisë gjatë ngjarjeve masive si pelegrinazhet dhe përdorimin e inteligjencës artificiale në parandalimin e rreziqeve.

Për të konkretizuar këtë bashkëpunim, Drejtori Proda propozoi intensifikimin e trajnimeve të përbashkëta, zhvillimin e projekteve pilot dhe ngritjen e kapaciteteve teknike e profesionale.

Në përgjigje, Drejtori Al-Bassami garantoi mbështetjen e Policisë së Arabisë Saudite me trajnime, logjistikë dhe veprime hetimore të përbashkëta. Gjatë vizitës, delegacioni shqiptar zhvilloi takime edhe me drejtuesit e sigurisë në Mekë dhe Medinë për të shkëmbyer eksperienca.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme