Polonia miraton dislokimin e forcave të NATO-s në territorin e saj

Europë | 1 vit më parë

Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, ka nënshkruar zyrtarisht miratimin për vendosjen e trupave shtesë të NATO-s në territorin polak.

Dislokimi bëhet në kuadër të operacionit “Roja Lindore“, një masë e konsideruar si përforcim i sigurisë kombëtare përballë kërcënimeve në rritje nga lindja, veçanërisht pas incidenteve të fundit me dronë rusë që kanë shkelur hapësirën ajrore polake.

“Presidenti i Polonisë, Karol Nawrocki, nënshkroi një dekret për të dhënë pëlqimin për praninë në territorin e Polonisë të kontingjentit të forcave të huaja nga shtetet anëtare të NATO-s, në kuadër të përforcimit të Republikës së Polonisë në kuadër të operacionit ‘Roja Lindore’,” thuhet në njoftim, sipas mediave polake.

Në një deklaratë të shkurtër të lëshuar të dielën, Byroja e Sigurisë Kombëtare (BBN) e Nawrockit njoftoi se presidenti kishte “nënshkruar një rezolutë që jepte pëlqimin për praninë në territorin e Polonisë të një komponenti të forcave të huaja nga NATO si përforcim i Polonisë si pjesë e Operacionit Eastern Sentry”.

“Roja Lindore” është emri i dhënë një operacioni të NATO-s, i njoftuar të premten, që synon të forcojë krahun lindor të aleancës – dhe veçanërisht mbrojtjen e saj ajrore – pas sulmeve me dronë.

Vendimi vjen ndërkohë që tensionet midis NATO-s dhe Rusisë janë rritur, sidomos pas ndërhyrjes së avionëve polakë dhe të aleatëve për rrëzimin e dronëve që shkelën kufirin ajror të Polonisë më 10 shtator.

Kryeministri Donald Tusk ka paralajmëruar se situata është më e rrezikshmja që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ka kërkuar konsultime urgjente me aleatët e NATO-s në bazë të Nenit 4 të Traktatit të Aleancës.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme